Cakaj në Kongresin e PS: KE do të japë edhe njëherë dëshminë se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet

Shqipëria

Cakaj në Kongresin e PS: KE do të japë edhe njëherë dëshminë se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet

Më: 29 shkurt 2020 Në ora: 14:20
Gent Cakaj

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, në fjalën e tij në Kongresin e PS u ndal veçanërisht në çështjen e Integrimit Evropian të Shqipërisë.

Për pak ditë, theksoi Kryediplomati, Komisioni Evropian do të japë edhe njëherë dëshminë e tij objektive se Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet për çeljen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Sipas Cakaj, ky vendim do të përbëjë një bazë të re për angazhim politik e diplomatik, për t’i bindur vendet anëtare për meritat madhore të Shqipërisë e rëndësinë e patjetërsueshme të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

“Në rast suksesi, Shqipëria nuk do të realizojë thjeshtë një qëllim historik të shumëpritur, por edhe do të fillojë një punë institucionale afatgjatë që do të shënojë një fazë të re në transformimin rrënjësor të vendit.” – u shpreh Cakaj.

Çelja e negociatave për anëtarësim, sipas Ministrit në detyrë Cakaj, nënkupton edhe një marrëdhënie më dinamike me rajonin e një pune të shtuar në reformën e hapësirës ekonomike sipas parimeve të BE-së.

Prandaj, Cakaj në fjalën e tij, shprehu se asnjë trajtë bashkëpunimi rajonal, nuk duhet parë si zëvendësim i BE-së, por si zgjatim i projektit të integrimit evropian Shqipërisë.

“Kjo është rrugë e pakthyeshme, sepse Shqipëria i përket Evropës dhe anëtarësimi në BE është interesi madhor, jo vetëm i Shqipërisë, por i gjithë shqiptarëve.” – përfundoi fjalën e mbajtur Ministri në detyrë Cakaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat