Lleshaj pranon situatën emergjente: Po lirohen elementë të rrezikshëm kriminalë

Shqipëria

Lleshaj pranon situatën emergjente: Po lirohen elementë të rrezikshëm kriminalë

Më: 5 mars 2020 Në ora: 11:08
Sandër Lleshaj

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj nga foltorja e Kuvendit ka sqaruar pse kanë zgjedhur një akt normativ për ligjin anti-KÇK.

Lleshaj argumentoi se vendi i plotëson dy kushte për të përdorur këtë akt normativ, emergjencën dhe nevojën.

Sipas ministrit, fakti që në Shqipëri pas zbatimit të reformës në drejtësi po lirohen të dënuar me rrezikshmëri kriminale është një situatë emergjente.

Po ashtu, Lleshaj tha se përmes këtij akti normativ qeveria do të marrë përgjegjësi, për të treguar se ka vetëm një objektiv, goditjen e krimit të organizuar.

Sandër Lleshaj: Akti normativ u zgjidh në zbatim të atributeve që kushtetuta i njeh qeverisë për të miratuar akte normative me fuqinë e ligjit, që plotësojnë dy kushte. Ka një nevojë dhe një emergjencë. A janë plotësuar këto kushte? Ne mendojmë sigurisht që po.

Së pari është konstatuar dhe është provuar nevoja e emergjencës se me fillimin e zbatimit të reformës në drejtësi u krijua një situatë  se shumë gjyqtarë dhe prokurorë panë se shanset për të kaluar vettingun nuk janë të larta.  Ky parashikim aspak optimist për ata gjyqtarë dhe prokurorë që mbajnë përgjegjësi të mëdhaja për mos funksionimin e sistemit të drejtësisë i ka bërë ata të kenë të qartë fundin. Ndërkohë u ka dhënë një mundësi që kohën e mbetur ta shfrytëzojnë për të bërë ato gjëra që kanë bërë pa përtesë dhe papërgjegjshmëri që kanë bërë gjatë viteve të kaluara. Përmes vendimeve krejtësisht të pakuptueshme, pa përgjegjshme dhe të papranueshme është mundësuar sidomos vitin e fundit dhënia e vendimeve që janë jo vetëm përtej ligjit, por edhe përtej logjikës. Mbi 28 vendime të kësaj natyre janë regjistruar nga strukturat e policisë që provojnë këtë situatë të papranueshme. Përmes këtyre vendimeve, po lirohen elementë me rrezikshmëri të lartë kriminale, që sipas llogarive të policisë duhet të ishin në burg. Ndërkohë që policia operon përditë me intensitet të lartë për të çuar para drejtësisë elementë të tjerë kriminale që janë jashtë burgut, burgjet në vetvete po lirojnë dhe po furnizojnë skemën e krimit me kriminel të tjerë të dënuar dhe të liruar në kushte absurde. Këta persona që janë liruar në mënyrë të paarsyetuar bëhen pjesë e skemës kriminale duke qenë në të njëjtën kohë në posedim të aseteve shumë të mëdha kriminale. Në këtë mënyrë kontribuojnë në rritjen e kriminalitetit në vend, në frenimin e reformave dhe ne rritjen e risqeve që ndikojnë në sigurinë e vendit. Për këtë arsye ne besojmë se kemi një situatë emergjence që duhet adresuar në kushte emergjence përmes një akti normativ. 

E dyta përmes aktit normativ qeveria do të marrë përgjegjësi, sepse me këtë shpreh edhe një vullnet të qartë qeveria nuk ka asgjë për të ndarë me krimin, por ka vetëm një objektiv për të shkatërruar të gjitha rrjetet e krimit të organizuar dhe për ti hapur rrugë një zhvillimi normal të vendit tonë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat