Covid-19/ A jeni të gatshëm të uleni në një tryezë me Ramën? Përgjigjet Basha

Shqipëria

Covid-19/ A jeni të gatshëm të uleni në një tryezë me Ramën? Përgjigjet Basha

Më: 31 mars 2020 Në ora: 13:48
Lulzim Basha

Gjatë një komunikimi me gazetarët, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u pyet nëse ishte i gatshëm të ulej me kryeministrin Rama në një tryezë për të zgjidhur situatën e shkaktuar nga Covid-19, e cila është krizë shëndetësore dhe ekonomike.

Ai e ka përjashtuar mundësinë për t’u ulur në një tryezë me Ramën duke thënë se opozita e ka kryer detyrën e saj duke bërë propozime. Po kështu, Basha u pyet edhe rreth çështjes nëse duhet të përdorë qeveria modelin amerikan për të dhënë para në dorë.

“Nuk ka nevojë të merremi me modelet që kanë mundësi ekonomike të ndryshme nga vendet tona. Mjafton të shikojmë përkushtimin e vendeve të cilat kanë ekonomi të ngjashme, buxhete të ngjashme dhe sfida të ngjashme me vendin tonë. Prandaj le të rrimë tek Kosova, le të rrimë tek Maqedonia e Veriut për të parë se si mund të zgjidhim problemet nëse ka vullnet, nëse ka vizion dhe nëse ka dëshirë për të ndihmuar njerëzit. Në këtë kuadër ne kemi propozuar një paketë të plotë e cila ka të bëjë me të gjitha aspektet. Ka të bëjë me aspektin në shëndetësi, ka të bëjë me detyrimet e shtetit që burojnë nga shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, ka të bëjë me efektet ekonomike të krizës dhe masat që duhen për të garantuar stabilitetin ekonomik të vendit, ka të bëjë me efektet tek shtresat në nevojë, tek shumica e njerëzve që janë në vështirësi të mëdha ekonomike sot dhe ka të bëjë po kështu me mënyrën sesi mund të garantojmë mirëfunksionimin e autoriteteve shtetërore në këto kohë krize. Këto propozime i kemi bërë në mënyrë të vazhdueshme dhe të përditshme do të vazhdojmë t’i ndërmarrim. Por le të marrim një shembull edhe një herë, si mundet që Shqipëria t’i dalë parë dhe jo ta ndjekë pas pasojat e krizës së koronavirusit në ekonomi? Duke bërë të mundur që jo vetëm të flasim, por edhe të veprojmë. Në qoftë se tjetër flasim dhe tjetër veprojmë, atëherë të jeni të sigurtë që kriza ekonomike do të shkatërrojë me qindra mijëra vende pune. Edhe sot që flasim asnjë qindarkë nuk është shpërndarë për njerëzit në nevojë. Njerëzit kanë nevojë për mbështetje financiare, kanë nevojë për para. Përgjigjja për pyetjen ku t’i gjejmë paratë është fare e qartë: anullo 120 milionë euro kontrata koncensionare si fillim. Sot e ke krejtësisht të mundur me ligjin për fatkeqësinë natyrore.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat