Koronavirusi i merr jetën inxhinierit shqiptar në Itali, gruaja: Dyshojmë se u infektua në Shqipëri

Shqipëria

Koronavirusi i merr jetën inxhinierit shqiptar në Itali, gruaja: Dyshojmë se u infektua në Shqipëri

Më: 1 prill 2020 Në ora: 10:14
Adrian Kazazi dhe Anila Husha Kazazi

Pak ditë më parë Anila Alushi tha se kishte të dhëna për të paktën nëntë shqiptarë që nuk ia kanë dalë në luftën kundër virusit Covid-19 në Itali.

61 vjeçari Adrian Kazazi ishte fatkeqësisht njëri prej tyre. Bashkëshortja e tij, Anila si dhe dy djemtë zbuluan me dhembje në rrjetet sociale humbjen e kreut të familjes, ish-kryeinxhinierit të Kombinatit të Autotraktoreve deri në vitin 1991, kohë kur Kazazi u nis për specializim në Itali, ku jetoi deri të premten e 27 marsit së bashku me familjen e tij.

Të vendosur herët në Romë, Adrian Kazazi, njëri prej viktimave të koronavirusit, ishte 25 vitet e fundit inxhinier pranë Organizatës Botërore të Ushqimit dhe Agrokulturës, FAO.

Aq shumë i kishte dhënë 61-vjeçari këtij institucioni saqë pas vdekjes së tij flamuri i institucionit u ul në gjysmë shtizë dhe kolegët mbajtën një minutë heshtje, ndërsa në të gjallë inxhinieri shqiptar ishte nderuar me medalje nga vetë drejtori i përgjithshëm i FAO-s.

E pamundur për të komunikuar me median drejtpërdrejt, bashkëshortja, Anila Husha Kazazi, ka zgjedhur që nëpërmjet një letre t’i drejtohet jo vetëm familjes, miqve, shokëve të bashkëshortit të saj, por edhe publikut e qytetarëve shqiptarë për të cilët ka një mesazh Në këtë letër për “Abc-ja e mëngjesit” ajo zbulon dhe një detaj të ri ne lidhje me praninë e koronavirusit në vendin tonë…

Letra e plotë e Anila Husha Kazazit

Si u shfaq sëmundja?

Ne ishim të katërt në Tiranë nga data 20 shkurt deri me datën 2 Mars për të asistuar mamanë time në spital dhe me pas për funeralin e saj.

Kur u kthyem me datë 2 Mars në Romë, Adriani ishte me temperaturë dhe ka ndenjur një javë në shtëpi me simptoma gripi, pak temperaturë dhe shumë kollë, por asnjë nuk dyshoi për koronavirus, pasi në Tiranë akoma nuk kishte asnjë të deklaruar zyrtarisht. Me datë 9 mars shkoi në punë, por nuk e pranuan duke i kërkuar certifikatë “di buona salute” nga mjeku i familjes.

Ai u vizitua dhe mjeku i dha 1 jave tjetër pushim, pasi akoma nuk ishte shëruar. Nga mesi i javës së dytë ai pati një përkeqësim, i filloi temperaturë e lartë, pa kollë, por mjeku i familjes e këshilloi të rrije 5/6 ditë në shtëpi me paracetamol dhe vitamina C. Telefonova nr.112 (shërbimin e ambulancave), por më qetësuan duke më thënë se meqë nuk ka pasur kontakte me persona nga veriu i Italisë, meqë nuk ka kolle dhe pengesë në frymëmarrje, nuk ka problem.

Kur gjendja u keqësua, pra kur i filloi kolla pas 3-4 ditësh, telefonova përsëri 112, dhe me datë 16 mars erdhën e morën.

E shtruan ne Poliklinikën “Umberto i Parë”, që është një nga spitalet më të mira në Romë, mjekët janë profesorë në Universitetin La Sapienza.

Ditët e para e futen në terapi intensive me oksigjen, gjendja nuk ishte e rëndë, temperaturën ia ulën që ditën e parë. Komunikonte me ne me video telefonata dhe mesazhe, madje pas dy ditësh e informuan që do ta nxirrnin nga terapia intensive.

Po atë ditë i filluan terapinë me TOCILIZUMAB, mjekimi i rekomanduar nga një profesor në Napoli që dha rezultate shumë të mira në disa pacientë.

Të nesërmen në drekë me datë 19 mars u përkeqësua dhe e çuan direkt në reanimacion. Nga ai moment e futën ne intubim me sedativ dhe ne i humbëm lidhjet. Çdo pasdite mjeket na njoftonin për gjendjen dhe për fatin e keq të tij dhe tonin, ai keqësohej vazhdimisht deri sa me datë 27 mars në darkë me dhanë lajmin që nuk doja ta dëgjoja kurrë.

Përveç kësaj ne ishim në karantinë dhe nuk mundëm të shkojmë ne spital për ta parë dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Për më tepër nuk mundem as t’i bëjmë nderet e fundit, një varrim dinjitoz siç e meritonte.

Adriani nuk ka pasur kurrë probleme shëndetësore, madje ka qenë sportist amator, merrej me hedhje çekiç. Askujt nuk i besohej se nuk do rezistonte, por për fat të keq ky virus nuk do t’ia dijë as për moshë, as për gjendje të mirë shëndetësore.

Prandaj mesazhi im për publikun shqiptar është: ju lutem qëndroni në shtëpi, respektoni rregullat e higjienës, ruani shëndetin tuaj, të familjarëve, kolegëve dhe të miqve tuaj.

Ne jemi të mbyllur në shtëpi nga data 9 mars, të sëmurë vetë me koronavirus, me një familjar të shtruar rëndë në spital që ndërroi jetë dhe arrijmë të durojmë. Ka kaq shume gjëra të bukura për tu bërë në shtëpi, mbi të gjitha të gëzoni njëri-tjetrin, të diskutoni , të shijoni çdo moment të jetës, të lexoni, të telefononi miqtë dhe të gjitha ato gjëra që nuk i bëjmë dot në kushte normale, ku ritmet e punës dhe problemet e përditshme të bëjnë të humbasësh qëllimin kryesor të jetës, të jesh i lumtur.

Faleminderit,

Anila Husha Kazazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat