PD: Rama fshehu arrestimin/ Reagon Kryeministri: Ndërhy o zot se gjynah këta

Shqipëria

PD: Rama fshehu arrestimin/ Reagon Kryeministri: Ndërhy o zot se gjynah këta

Më: 2 prill 2020 Në ora: 17:18
Foto

Politika uli armët dhe la jashtë vëmendjes përplasjet e ditës për shkak të koronavirusit, por kur u duk se fokusi kryesor ishte përballimi i pandemisë së Covid-19 zhvillimet morën një kthesë të re pas pohimit të kryeministrit Edi Rama në mediat italiane, se ishte arrestuar në shtetin fqinj shumë vite më parë.

Kaq ka mjaftuar për demokratët për të nxjerrë në skenë kartën e dekriminalizimit duke akuzuar Kryeministrin për fshehje të së shkuarës së tij. Opozitarët i kujtuan Ramës se si deputetet, Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica, humbën mandatin për fshehje në formularin e dekriminalizimit të arrestimit të tyre duke kërkuar të njëjtin standard edhe për Kryeministrit.

“Nje problem te madh me kete deklarim: eshte arrestuar nga policia. Kryeministri NUK e ka deklaruar kete arrestim ne formularin e Dekriminalizimit! Ne rast mosdeklarimi ligji dikton se ai humbet te gjitha funksionet publike. Edhe si deputet edhe si kryeminister! Ligji i Dekriminalizimit i kaluar me shumice te cilesuar nuk pezullohet me akt normativ as ne kohe lufte apo pandemie. Sa per t’ia kulluar mendimet Kryeministrit, dy deputete jane larguar nga parlamenti per kaq gje. Thjesht sepse nuk deklaruan arrestin”.

Por për Kryeministrin, intervista e tij është nxjerrë jashtë kontekstit, pasi sipas tij ai kishte folur sesi shqiptarët vuanin nga racizimi i fqinjëve italian duke mos e kursyer ironinë për demokratët.

“O Zot të lutem në gjunjë t’u japësh pak vaj për kandilin e trurit, se u është fikur krejt e nuk dinë ç’nxjerrin nga terri i gojës! Unë flas me mediat italiane për racizmin antishqiptar në Itali gjatë viteve ’90, duke sjellë shembull një sherr me një polic në aeroport, po këta?! Këta flasin për formularin e dekriminalizimit ku s’paskam deklaruar ndalimin nga policia! O Zot pse nuk e pate mendjen kur i krijove këta, po i le si karabina pa mure, pa elektrik, pa ujë?! Ndërhy Zot i madh se gjynah këta, po gjynah edhe ky popull që çfarë nuk dëgjon prej tyre!”.

Në intervistën për Gazeta Dello Sport, Kryeministri tregonte sesi ishte arrestuar në aeroportin e Bolonjas në vitet 90 pasi ishte revoltuar ndaj një polici i cili e pyeste një grua shtatzënë se çfarë kishte në bark

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat