Mjekët shqiptarë nëpër botë bëjnë gjestin e madh, hapin spital virtual, shihni si funksionon ai

Shqipëria

Mjekët shqiptarë nëpër botë bëjnë gjestin e madh, hapin spital virtual, shihni si funksionon ai

Më: 2 prill 2020 Në ora: 19:44
Mjeku Besart Çuko

COVID – 19 është duke i shkaktuar njerëzimit dëme të jashtëzakonshme në shumë drejtime. Por në këto kohë të vështira për të gjithë ne, po kaq i dëmshëm është edhe kaosi informativ që po shoqëron korona virusin. Me dhjetëra fake news janë shpërndarë këto javët e fundit në shumë shtete të botës, përfshirë edhe vendin tonë.

Ndoshta kjo ka qenë një nga arsyet kryesore që shtyu një grup mjekësh shqiptarë që jetojnë e punojnë në disa shtete të botës të krijonin një platformë informative mbi COVID – 19. Atyre ju pëlqen ta cilësojnë “spital virtual” dhe jo pa qëllim. Një nga mjekët e kësaj iniciativë të quajtur Milano për Shqipërinë, sqaron për Euronews Albania, si funksionon ajo.

Mjeku Besart Çuko, tregon se përgjigjet nga mjekët do të jepen në kohë reale dhe ata janë disponibël 24 orë në 24. Platforma është në shqip në mënyrë që të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë ta kenë të lehtë ta përdorin. Mjeku pohon se numri i profesionistëve që po bëhen pjesë e platformës po shtohet çdo ditë e së fundmi edhe me profesione të tjera që lidhen me përballimin e kësaj situate.

Një i tillë është profesioni i psikologëve. Në ditët e karantinës, një pikë e rëndësishme që duhet mbajtur parasysh është edhe shëndeti mendor. Ndaj në platformë qytetarët mund të bëjnë pyetje edhe në këtë drejtim si psh si mund të kujdesemi për shëndetin mendor, sa të rrezikuar jemi në këto kohë nga ky izolim etj.

Mjekët kanë vendosur që me rotacion të jenë online për t`ju përgjigjur të gjitha pyetjeve të njerëzve, në mënyrë profesionale dhe bazuar mbi fakte të vërtetuara shkencërisht. Ata gjithashtu do të ndajnë edhe eksperiencat e tyre nga vendet ku punojnë që janë në fakt edhe shtetet më të prekura nga COVID – 19, si Italia dhe Spanja.

Informacionet që do të ofrohen në platformë janë falas. Mjeku Çuko pohon se kjo është parë si një mundësi e mirë nga mjekët për t`ju shërbyer në njëfarë mënyre bashkëatdhetarëve edhe pse në distancë.

Pandemia e coronavirus, nxori ne pah numrin e lartë të shqiptarëve që punojnë si mjekë, infermierë, studiues apo drejtues departamentesh në institucione shumë të rëndësishme në të gjithë botën.

Ndaj edhe këto kohë shqiptarët janë ndjerë krenarë për punën e tyre dhe njëkohësisht të keqardhur që ata janë larguar nga vendi. Ndërsa iniciativa të tilla janë një shërbim më shumë nga këta mjekë për bashkëatdhetarët e tyre në Shqipëri dhe jo vetëm.    

Platfoma është funksionale në adresën https://milanomedical.eu/milano-per-shqiperine/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat