Rama: Nga java e ardhshme zgjaten oraret në banka, dyqanet të bëhen gati për hapje

Shqipëria

Rama: Nga java e ardhshme zgjaten oraret në banka, dyqanet të bëhen gati për hapje

Më: 4 prill 2020 Në ora: 18:43
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama njoftoi se nga e hëna do të ketë lehtësime të masave shtrënguese.

Ai në një komunikim me qytarët tha se fundjava do të kalojë në shtetrrethim ndërsa java e ardhshme nis me  ndryshime.

“Duam të lehtësojmë pak lëvizjen tani që kemi konsoliduar mekanizmin online të liridaljes të vetëm një anëtari të familjes për pazarin e shtëpisë. Duam të lehtësojmë pak më shumë shërbimet bankare, si rrjedhojë e paketës mbështetëse do të duhet të përballojnë një volum më të madh shërbimi. Duam të lehtësojmë pak më shumë lëvizjen e automjeteve private duke u dhënë mundësi të gjithë atyre që vinë apo shkojnë në një punë të autorizuar që të kenë një fasho orari me të zgjatur dhe të mund të përdorin automjetin e tyre. Duam të lehtësojmë ata që i kanë mbyllur njësitë tregtare individuale jashtë qendrave tregtare përveç bareve, klubeve, restoranteve, palestrave dhe njësive ku mblidhen shumë njerëz. Por këto kërkojnë dhe  masa të reja ndëshkimore për shkelësit. Ajo që ndodhi sot në tregun e Kombinatit nuk ndodhi javën e kaluar”, tha Rama.

Tutje, ai u kërkoi njësive të tregtare që ushtrojnë aktivitetin jashtë qendrave tregtare të bëhen gati për tu hapur, pasi shumë shpejt do të nisin aktivitetin e tyre.

“Kur e vumë këtë fashë orare projeksioni ishte të zgjatej  deri pasnesër por jemi të detyruar ta shtyjmë disa ditë. Më parë duhet të merremi vesh mirë. Më e keqja jo vetëm nuk ka kaluar por nuk ka ardhur akoma.Tirana, Durrësi, Shkodra dhe Fieri mund të bëhen vaterloja jonë nëse nuk shtrëngojmë fort vidat e zinxhirit mbrojtës. Si fillim do zgjasim fashën e orareve dhe paralelisht do të rrisim dhe ndëshkimet, për rastet e përsëritura do të shkojmë deri në heqje lirie. Po po deri në heqje lirie për ata që shkelin kohëzgjatjen për pazar që mund ta zgjasim dhe më shumë që të mos kemi llafe për kohën e shkurtër”, tha ndër të tjera kryeministri Rama.

Tutje ai shtoi se më pas do lejojnë automjetet private me fashë orari të zgjatur për të gjithë punonjësit në kompanitë apo sipërmarjet që kanë aktivitet ligjërisht të lejuar por kjo do të kombinohet me rritje ndëshkimesh deri në heqje lirie nëse automjeti përdoret për trasnportin e personave të tjerë me sebepin e shoferit që ka leje për punë.

“Më pas do autorizojmë hapjen e dyqaneve që nuk janë në qendra tregtare dhe do kërkohet me detyrim pajisja me maska dhe doreza mbojtëse e personave që shërbejnë. Do vendosen rregulla strikte për mënyrën si shërbehet, shkelja e të cilave do të shoqërohet me mbyllje, konfiskim të mallit dhe deri heqje lirie. Të gjithë sipërmarrësit  e këtyre aktiviteteve të fillojnë të përgatiten për të qenë të gatshëm që në momentin e hapjes të mbrojnë personelin dhe klientët sipas rregullave që do të jenë të përcaktuara”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat