Rasti i parë me Covid-19 në Poliçan, reagon kryebashkiaku: 10 mijë banorë të rrezikuar, gjithë qyteti do të futet në karantinë

Shqipëria

Rasti i parë me Covid-19 në Poliçan, reagon kryebashkiaku: 10 mijë banorë të rrezikuar, gjithë qyteti do të futet në karantinë

Më: 6 prill 2020 Në ora: 15:22
Ilustrim

Një burrë 79 vjeç në qytetin e Poliçanit ka rezultuar pozitiv me Covid-19. Prej pesë ditësh, i moshuari kishte temperaturë, vështirësi në frymëmarrje, kollë mbytëse, diarre dy herë në ditë, dhimbje gjoksi e muskulore dhe po trajtohej me oksigjeno-terapi.

Aktualisht, pacienti ndodhet i shtruar në spitalin Infektiv në Tiranë. 79-vjeçari ka patur kontakt me djalin 30 vjeç, i cili kishte ardhur nga Greqia më 5 mars 2020.

Në periudhën e karantinës, djali nuk shfaqi asnjë simptomë, por para dy ditësh ka kollë të thatë, dhimbje fyti, dhimbje gjoksi e muskulare dhe temperaturë. Djali mjekohej herë pas here për bronkopneumoni bilaterale dhe tashmë po trajtohet me trajtim ambulator në Qendrën Shëndetësore në Poliçan. Pas testit të koronavirusit, 30-vjeçari rezultoi negativ, thonë burime zyrtare nga Drejtoria e Epidemiologjisë dhe Shëndetit Publik Berat.

Dyshohet se i moshuari ka patur kontakte të shumta dhe po vijon gjurmimi i rasteve të tjera. Pas rastit të parë, kryetari i bashkisë së Poliçanit ka reaguar duke konfirmuar se i gjithë qyteti do të futet në karantinë. Adriatik Zotkaj tha se 10 000 banorët e Poliçanit janë në rrezik serioz për jetën sepse vuajnë nga sëmundje të mushkërive dhe sëmundje profesionale, për shkak të punës që kanë kryer në Kombinatin Mekanik të Armëve në Poliçan.

Kryebashkiaku i Poliçanit bëri me dije se heqja e postbllokut në hyrje të qytetit pas konflikteve me policinë bëri të pamundur filtrimin e personave që hynin e dilnin në qytet.

Ndërsa kryeinfermierja e Qendrës Shëndetësore Poliçan, Çerçina Jonuzi deklaroi se është i rrezikuar i gjithë stafi mjekësor prej 30 personash pasi i moshuari me koronavirus vuante nga sëmundje shoqëruese dhe shkonte pothuajse çdo ditë për mjekim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat