Kaq persona janë paguar nga paketa ekonomike në Shqipëri

Shqipëria

Kaq persona janë paguar nga paketa ekonomike në Shqipëri

Më: 22 prill 2020 Në ora: 09:16
Foto ilustrim

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve në Shqipëri, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se “deri ditën e sotme janë paguar 52 350 persona nga paketa e parë e ndihmës ekonomike të qeverisë“.

Ibrahimaj tha se nga 60 mijë nipte biznesesh që kishin aplikuar për përfitim, janë 30 mijë nipte, punonjësit e të cilëve përfituan nga paga e luftës me paketën e parë.

“Tatimpaguesit janë lajmëruar për mbylljen e këtij procesi duke qenë se do të hapej procesi i paketës numër dy. Është një numër i lartë tatimpaguesish që kanë aplikuar për paketën e parë, janë mbi 60 mijë ata që aplikuan për paketën e parë” tha ajo, “ndërkohë që nga këto nipte janë rreth 30 mijë punonjësit e të cilëve kanë përfituar nga paketa e parë”.

Lidhur me rastet e refuzuara, Ibrahimaj, tha se “janë 31 132 raste të refuzuara. Ne kemi bërë një analizë ku 16 993 subjekte të cilët kanë aplikuar dhe janë refuzuar nga paketa e parë janë përfitues të paketës së dytë dhe janë njoftuar gjatë ditës së sotme me një mesazh për t’ i shpjeguar mënyrën e përfitimit të paketës. Gjithashtu u është dërguar një e-mail të gjithë të punësuarve të këtyre subjekteve, të cilët do të jenë përfitues të paketës së dytë”.

Ibrahimaj theksoi se “për pjesën e mbetur të subjekteve që kanë qenë të refuzuar, që është një numër prej 14 199 subjekte ose 25 212 të punësuar Administrata Tatimore ka filluar një proces riverifikimi që të jemi të sigurt që asnjë gabim nuk është bërë dhe të gjithë ata që do të përfitonin, që janë subjekte përfitimi nga paketa e parë e pagës së luftës do të marrin atë”.

Më tej ajo u shpreh se “Brenda kësaj jave ne do të riverifikojmë këto raste me qëllim që procesi i vlerësimit të paktës së parë të përmbyllet së bashku me të gjithë ankimimet që kanë bërë subjektet”.

Shifrat e dhëna nga Ibrahimaj hodhën poshtë edhe deklaratën e kreut të PD, Lulzim Basha, i cili më herët, nga i njëjti emision deklaroi se pagesat për punonjësit me paketën e parë financiare ishin një mashtrim dhe se qeveria nuk i ka shpërndarë këto paga.

Lidhur me aplikimin e pagës së luftës për paketën e dytë , Ibrahimaj tha se sot “sot në fakt numri i aplikimeve ka qenë i ulët rreth 100 tatimpagues. Ka qenë numër i vogël sot, pasi tatimpaguesit nuk janë njohur me procedurën e dytë që duhet të ndjekin. Të gjithë përfituesit e paketës së dytë nëpërmet portalit kanë marrë një mesazh ku u shpjegohet sesi duhet të aplikojnë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat