“Është dhënë leja për të testuar vaksinën”/ Mjekja shqiptare në Gjermani: Gati brenda 4 muajve

Shqipëria

“Është dhënë leja për të testuar vaksinën”/ Mjekja shqiptare në Gjermani: Gati brenda 4 muajve

Më: 24 prill 2020 Në ora: 07:20
Ilustrim

Në listën e vaksinave të aprovuara për teste klinike në rang kombëtar, shtohet edhe vaksina gjermane e prodhuar nga kompania BioNTech. Gjermania, modeli i menaxhimit të krizës shëndetësore tashmë, hyn në rivalitetin e garës për gjetjen e antidotit efikas që do të luftonte me efikasitet virusin që nuk është më dhe aq i panjohur, me provat që jep prej javësh.

Pavarësisht lajmeve për numra nën kontroll, por ekspertët gjermanë tashmë po i japin zë shqetësimit për një valë të dytë infektimesh. Fatmirësisht, ka “mantel-bardhë” shqiptarë që këto ditë na kanë bërë krenarë, por janë dëgjuar më shumë edhe imponuar nga situata.

Intelektualë, të palodhur dhe me kontribut drejtpërdrejt si doktoresha Elona Meta Haubrich, e cila drejton edhe Federatën e Mjekëve Shqiptarë të shpërndarë në 27 vende të botës.

Elona Meta Haubrich foli në A2 mbi punën që është duke u bërë në Gjermani për krijimin e vaksinës ndaj Covid-19, duke dhënë një lajm të jashtëzakonshëm, se pavarësisht atyre që janë thënë më parë, vaksina mund të jetë gati brenda 4 muajve.

“Është dhënë leja për të vepruar me vaksinën kandidate. Bëhet fjalë për 4 substanca të ndryshme, ndërsa vaksina do të testohet te një grup prej 200 personash vullnetarë. Pas 3-4 muaj do të shikohen rezultatet nëse kjo do të jetë vaksina përfundimtare për Covid-19. Këta 200 persona vullnetarë janë të gjithë të shëndetshëm dhe grupi i dytë do të jetë me persona në gjendje jo të mirë shëndetësore, të rrezikuar”.

Elona Meta Haubrich theksoi se rrezikohet të përballemi edhe me një valë të dytë të koronavirusit dhe për këtë vaksina do të ishte zgjidhja.

“Nuk duhet të mjaftohemi vetëm me gjetjen e antitrupave, por duhet ta parandalojmë virusin, pasi mund të vijë edhe vala e dytë. Vaksina ndahet në dy grupe, imunizimi pasiv dhe aktiv. Po bëhet fjalë për imunizimin aktiv, ku pasi futet antigjeni, i gjallë ose i vdekur, pritet për krijimin e antitrupave. Në lidhje me këto vaksina po punohet shumë për të krijuar një imunizim me një kohë të gjatë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat