Masat për COVID-19, OSBE kontroll në pikat kufitare, shqetësim migracioni i parregullt

Shqipëria

Masat për COVID-19, OSBE kontroll në pikat kufitare, shqetësim migracioni i parregullt

Më: 2 maj 2020 Në ora: 15:38
Foto ilustrim

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri vizitoi, gjatë kësaj jave, pikat e kalimit kufitar të Kapshticës dhe Kakavijës për të vlerësuar situatën e përgjithshme, si edhe masat e ndërmarra për shkak të pandemisë COVID-19.

Kapshtica dhe Kakavija janë dy ndër pikat kufitare kryesore nga ku bëhet riatdhesimi i shtetasve në situatën e tanishme. Takime të zgjeruara u mbajtën me drejtorët rajonalë të kufirit dhe migracionit si edhe me komandantët e pikave. Po ashtu, Prezenca vizitoi edhe hotelet ku janë karantinuar qytetarët e riatdhesuar.

Qëllimi i takimeve ishte vlerësimi i gjendjes së përgjithshme në pikat e kalimit kufitar dhe se si punonjësit e policisë kufitare po përballen me pandeminë, sfidat me të cilat ndeshen ata dhe nevojat e tyre.

U diskutua edhe për bashkëpunimin me pushtetin vendor dhe me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit që veprojnë në kufi, si doganat, për lehtësimin e përpunimit të kamionëve.

Drejtorët rajonalë e informuan Prezencën për sfidat e tanishme dhe ato të pritshme me hapjen e kufijve. Ata shprehën shqetësim për rigjallërimin e migracionit të parregullt.

Bashkëpunimi rajonal bëhet akoma më i rëndësishëm në kohë krize. Drejtorët e dy pikave të kalimit kufitar konfirmuan marrëdhëniet shumë të mira me vendet fqinje në luftën kundër veprimtarive të paligjshme dhe në shkëmbimin e informacionit.

Prezenca do të zhvillojë vizita të tilla edhe në pikat e tjera të kalimit kufitar, gjatë javëve në vijim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat