Mediat italiane: Skandali i mjekëve shqiptarë në Breshia, nuk ishte hera e parë

Shqipëria

Mediat italiane: Skandali i mjekëve shqiptarë në Breshia, nuk ishte hera e parë

Më: 3 maj 2020 Në ora: 16:49
Mjekët shqiptarë në Breshia

Të 30 mjekët shqiptarë që shkuan në Breshia të Italisë u etiketuan si heronj fillimisht, porse gjatë kthimit në atdhe u gjobitën me nga 500 euro dhe kjo për shkak se kishin festuar si të çmendur dhe deri orët e vona mbanin muzikën e lartë.

Ky incident la një shije të hidhur dhe se edhe në Itali pati reagime të ndryshme në pro dhe kundër, pasi pati zëra se ndaj shqiptarëve nuk duhej të silleshin në atë mënyrë duke i gjobitur, pasi me aktin e tyre demonstruan një diçka të rrallë.

Në lidhje me incidentin e ndodhur në hotelin ku ishin strehuar mjekët dhe infermierët shqiptarë në Itali ka reaguar edhe Sindikata Kombëtare e Forcave të Policisë së degës së Breshias.

“Kolegët kanë reaguar në respekt të rregullave të ligjshmërisë”, ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i Sindikatës Provinciale të Punonjësve të Policisë së Breshias, Daniele Possemato.

“Nuk ishte hera e parë që portieri i natës në Hotel ka kërkuar ndërhyrjen e  forcave të rendit, pas ankesave të klientëve të tjerë. Hoteli është një strukturë pranë spitalit civil të Breshës dhe nuk ka dyshim që sjellja e tyre ishte jo vetëm mosrespektim i  legjislacionit aktual por dhe i rregullave bazë të bashkëjetesës civile”.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Sindikatës së Forcave të Policisë së Breshias, 8-9 persona nga grupi i 30 mjekëve e infermierëve shqiptarë qëndronin në ballkonin e njërit prej dhomave të tyre me këngë e britma që me shumë gjasa vinin nga konsumi i alkoolit,  duke  shqetësuar klientët e tjerë të hotelit dhe kalimtarët.

Pas ndërhyrjes së forcave të rendit, sipas sindikatës së policëve të Breshias (lajmi i mediave italiane) , disa individë nga grupi i mjekëve e infermierëve shqiptarë, në vend që të pranonin përgjegjësitë për sjelljen e tyre, u hodhën kundër punës së kolegëve policë. E pas gjithçka që kishte ndodhur rruga e vetme ishte zbatimi i ligjit.

Në deklaratën për shtyp Sekretari i Përgjithshëm i Sindikatës Provinciale të Punonjësve të Policisë së Breshës Daniele Possemato, i referohet dhe deklaratës së bërë nga këshilltari rajonal i Partisë Lidhja në Breshia, Gianpaolo Natali, i cili pas këtij incidenti e ka quajtur të gabuar gjobitjen e mjekëve dhe infermierëve shqiptarë të cilët kishin ardhur për të ndihmuar Italinë.

“Shpresoj, thotë ai, që këshilltari në vend që të kërkojë ta çojë çështjen në Parlament të kontribuojë me veprimin e tij politik në çështje më konstruktive e jo në gjueti të padobishme shtrigash”. Incidenti me ekipin e mjekëve shqiptarë vazhdon prej disa ditësh të trajtohet në të gjitha mediat italiane.

Në lidhje me rezistencën e fyerjet ndaj forcave të rendit, media italiane zbardh se disa nga mjekët shqiptarë janë shprehur me fjalët “na gjobisnin sepse jemi shqiptarë e ju jeni racistë.”

Këto janë detajet që e përditshmja Libero zbardh detaje të reja të kësaj ngjarje e të qëndrimit të ekipit shqiptarë në Brescia. Sipas kësaj të përditshme, dy prej grupit të mjekëve shqiptarë janë sëmurur menjëherë sapo kanë mbërritur në Breshia duke qëndruar mbyllur në dhomën e hotelit e dy të tjerë kanë pasur një sjellje të paqëndrueshme gjatë misionit të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat