OFL i jep goditje të fortë Lulzim Berishës, sekuestron 1.2 milionë litra naftë

Shqipëria

OFL i jep goditje të fortë Lulzim Berishës, sekuestron 1.2 milionë litra naftë

Më: 5 maj 2020 Në ora: 15:29
OFL

Operacioni “Forca e Ligjit” ka vijuar hetimet edhe gjatë periudhës së pandemisë.

Në një deklaratë të fundit për mediat, OFL njofton se ka sekuestruar 1.2 milionë litra naftë dhe një magazinë doganore në Durrës, në pronësi të L. B. dhe E. S.

Deklarata:

Në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, përgjatë dy muajve të fundit, OFL nuk e ka ndërprerë punën asnjë ditë. Në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese, OFL ka vijuar hetimet dhe goditjen e subjekteve të Ligjit Special.

Së bashku me Strukturat e Specializuara të Hetimit Financiar në Policinë e Shtetit dhe Doganat, në vijim të luftës kundër informalitetit, evazionit, ushtrimit të aktiviteteve të palicencuara dhe abuzimeve me tregun e hidrokarbureve, mbrëmjen e djeshme OFL sekuestroi 1,2 milion litra naftë dhe një magazinë doganore, në Durrës, në pronësi të subjektit privat L. B. & E. SH.

Këtij subjekti, më datë 13.02.2019, me vendimin nr. 85, i ishte revokuar licenca nga autoritetet kompetente shtetërore “Për ushtrimin e veprimtarisë së furnizimit me karburant, për konsum të anijeve në porte”. Pavarësisht revokimit të licencës, subjekti ka vazhduar të ushtrojë në mënyrë të paligjshme aktivitetin e tregtimit të naftës për peshkimin, duke përdorur shantazhin ndaj konkurrencës dhe duke tentuar të krijojë një monopol kërcënues për operatorët e industrisë së peshkimit.

Pasi e ka ndjekur fillin e këtij organizimi kriminal, OFL ka kryer mbrëmë operacionin e sekuestros dhe po vijon, në bashkëpunim me Strukturat e Specializuara të Hetimit Financiar, hetimin intensiv për zbulimin dhe dokumentimin e gjithë veprimtarisë kriminale në këtë fushë dhe lidhjen me persona të tjerë publikë e privatë.

OFL do informojë publikun në vijimësi për ecurinë e këtij operacioni të rëndësishëm, i cili tregon edhe njëherë se pasuritë kriminale nuk do të mbijetojnë në duart e subjekteve të Ligjit Special apo familjarëve e rrethit të bashkëpunëtorëve të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat