Samiti i Zagrebit, Shqipëria, më pranë apo më larg procesit të anëtarësimit?

Shqipëria

Samiti i Zagrebit, Shqipëria, më pranë apo më larg procesit të anëtarësimit?

Më: 10 maj 2020 Në ora: 05:51
Foto ilustrim

Në kushte normale, 2020 do të ishte në nisje të tij një vit i mbarë për integrimin e Shqipërisë dhe kryefjalë do të duhej të ishte perspektiva evropiane. Mirëpo, këtë vit, javës së Evropës, i parapriu dhe i bëri hije Covid-19.

Përveçse me koronavirusin, lufta në një tjetër front për qeverinë shqiptare do të jetë me kohën!  Ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, në A2 tha se ishte e paevitueshme që pandemia globale të mos infektonte procesin e integrimit. “Ka qenë e pashmangshme që kjo që ndodhi me pandeminë, mos të ngadalësonte punën për negociatat. Por tani puna do të nisë përsëri. Mekanizmi do të vihet sërish në punë”.

Edhe Samiti i  Zagrebit, që do të ishte vendtakimi i radhës i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, më 6 maj, me BE-në, solli një përmbysje të agjendës. Përpara mbajtjes se tij, analistët nuk pritën shumë nga ky takim për vendin. Sipas Afrim Krasniqit, drejtuesit të Institutit të Studimeve Politike, këto 8 javë të infektuara me Covid-19, nuk kanë prodhuar asnjë rezultat për kushtet e kërkuara nga BE-ja. “Shqipëria nuk ka një përgjigje për të ofruar në Samitin e Zagrebit dhe nuk ka as pritshmëri për rezultatet e këtij samiti në lidhje me Shqipërinë”, u shpreh Krasniqi. Ndërsa për kreun e European Movement of Albania, Gledis Gjipali, situata duket njësoj gri për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, për shkak të vëmendjes së shtuar për Covid-19.

Të mërkurën e 6 majit për më shumë se 4 orë, liderët e Ballkanit Perëndimor dhe ata të Bashkimit Evropian, diskutuan mes tyre virtualisht mbi perspektivën evropiane dhe për përballimin e përbashkët të pandemisë Covid-19. “E ardhmja e Ballkanit Perëndimor padyshim është në familjen evropiane”. Ky ishte afirmimi i përbashkët që solli Samiti i Zagrebit, që përfundoi me nënshkrimin e deklaratës së përbashkët me 20 pika, por që në asnjë rresht të saj nuk flitej për zgjerimin apo për një datë konkrete.

“Nuk ka dyshim, që Ballkani Perëndimor i përket BE-së. Unë u bëj thirrje qeverive të këtyre vendeve që të vazhdojnë të zbatojnë reformat, veçanërisht për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe garantimin e lirisë së mediave”, tha Ursula von Der Leyen.

Në të njëjtën linjë ishte edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili konfirmon mbështetjen për Ballkanin Perëndimor, por i mëshoi faktit se temë e parë e samitit ishte Covid-19. BE-ja ka vendosur të ndihmojë rajonin tonë me 3,3 miliardë euro.

Në dokumentin me 20 pika, ndër të tjera, theksi vihet dhe te disa çështje të tjera të ndjeshme. Intensifikimi dhe përshpejtimi i negociatave dhe zbatimit të reformave në procesin e përafrimit me “Acquis Communautaire”, BE-ja mbështet plotësisht zotimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor për bashkëpunim rajonal gjithëpërfshirës dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë; Parandalimi dhe lufta ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit; Partnerët e Ballkanit Perëndimor pranojnë se rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë thelbësore për transformimin politik e socio-ekonomik të rajonit.

Me tej, politika e Tiranës ka lente të ndryshme leximi për situatën. Ajo çfarë për qeverinë është një vazhdimësi e një zinxhiri të pashkëputur përparimesh për në rrugën drejt dyerve të BE-së, për opozitën është dëshmi e dështimit qeveritar.

Pavarësisht kohës së pandemisë që po kalojmë, detyra e radhës për qeverinë shqiptare, është e qartë. Përmbushja e detyrimeve të vendosura nga Bashkimi Evropian, që do të mundësonin uljen e Shqipërisë në tryezën e parë të mbledhjes ndërqeveritare, si një vend që kërkon një valëvitje të denjë të flamurit shqiptar, mes atyre të vendeve të unionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat