PD nxjerr e-mailin e zjarrit në Ministri, reagon Shëndetësia: Ishte incident

Shqipëria

PD nxjerr e-mailin e zjarrit në Ministri, reagon Shëndetësia: Ishte incident

Më: 10 maj 2020 Në ora: 14:47
Bardh Spahia

Në një dalje nga selia e PD-së, ish-deputeti i kësaj partia, Bardh Spahia tha se ministria e Shëndetësisë ka djegur dokumentet që kanë lidhje me tenderat sekretë.

“Për disa ditë me radhë, u provuam shqiptarëve me fakte dhe të dhëna të pakundërshtueshme, se Qeveria po vidhte me tendera sekret në këtë periudhë epidemie, kur gjendja ekonomike e shqiptarëve përkeqësohej çdo ditë. Qeveria heshti për këto vjedhje. SPAK-u po ashtu. Edhe më herët, ne kemi denoncuar se qeveria po e përdor heshtjen si strategji për të fituar kohë për fshehjen e gjurmëve të krimit dhe zhdukjen e provave. Ky krim është kryer përmes djegies. Aq shumë dokumente janë djegur në Ministrinë e Shëndetësisë brenda një dite, sa është aktivizuar sinjali antizjarr. ”

Spahia publikon e-mailin - Spahia u shpreh se zjarri ka rënë në 15 Prill, në katin e katërt të goditën së Ministrisë së Shëndetësisë dhe nxori një e-mail që sipas tij e faktonte këtë gjë.

“E vërteta është kjo. Në datën 15 Prill, në orën 18:00, në Ministrinë e Shëndetësisë janë djegur dokumente. Pas rënies së alarmit për zjarr, rojet e godinës kanë konstatuar djegien e dokumenteve në katin e katërt të godinës.
Siç e shikoni, kjo nuk është fantazi e jona. Është një email zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë, që provon rënien e zjarrit dhe djegien e dokumentave në katin e Zyrës së Prokurimeve, pikërisht atë që mohoi dje paturpësisht Ministrja e Vjedhjeve COVID, Ogerta Manastirliu.”

PD thirrje SPAK-ut - PD i bën thirrje SPAK-ut që të përfshijë në hetimin e tenderave sekretë të ministrisë së Shëndetësisë edhe djegien e dokumenteve më 15 Prill.

“Partia Demokratike kërkon nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion SPAK, të përfshijë në hetimin e kësaj çështje edhe djegien e dokumenteve më 15 Prill, siç e tregon ky e-mail zyrtar, si dhe fshehjen e të vërtetës nga Ministrja e Shëndetësisë, duke mohuar publikisht rënien e zjarrit.”

Reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë - Ndërkohë, në lidhje me këto akuza ka reaguar edhe ministria e Shëndetësisë, duke e përgënjeshtruar dicka të tillë.

Përmes një njoftimi për mediat, Ministria e Shëndetësisë bën me dije se e-maili që publikoi PD, ka të bëjë me një tërheqje vëmendje drejtuar stafit pas një incidenti të shkaktuar nga një punonjëse.

“Në përgjigje të akuzave të Partisë Demokratike, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale sqaron se nuk ka rënë zjarr në institucion. “Zbulimi” i bërë sot nga PD i referohet një emaili "tërheqje vëmendje" të para 26 ditëve, nga përgjegjësja për sigurinë në ministri, e cila i është drejtuar stafit pas një incidenti të shkaktuar nga një punonjëse, ndaj të cilës më pas është marrë masë administrative.” 

Ministria e Shëndetësisë shprehet se këto janë shpifje të PD-së që kërkon të manipulojë opinionin me histori djegie letrash në korridore.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale hedh poshtë aludimet dhe shpifjet e PD, që kërkon të manipulojë opinionin me histori djegie letrash në korridore, kur e di i madh e i vogël se çdo dokument zyrtar ruhet në Protokollin e Ministrisë dhe të çdo institucioni. Duke bërë publik këtë email, i cili dërgohet rëndom nëpër institucione për t’u tërhequr vëmendjen punonjësve, PD ka demonstruar edhe një herë se protokollet e sigurisë dhe masat disiplinore në MSHMS, funksionojnë më së miri. Sikundër e kemi deklaruar që në krye të herës, Ministria e Shëndetësisë është e hapur për çdo hetim nga organet e drejtësisë. Njëkohësisht, i bëjmë në mënyrë të përsëritur thirrje PD që të ndalë fushatën e shpifjeve dhe të presë me durim fjalën e drejtësisë."

Image
E-maili i publikuar nga PD
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat