Kryeprokurori Çela raporton sot në Parlament, ja zbulimet që ka bërë organi i akuzës për vitin 2019

Shqipëria

Kryeprokurori Çela raporton sot në Parlament, ja zbulimet që ka bërë organi i akuzës për vitin 2019

Më: 11 maj 2020 Në ora: 09:31
Kryeprokurori Olsian Çela

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela do të raportojë sot para Komisionit të Ligjeve sa i takon gjendjes së kriminalitetit për vitin 2019. Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, zëdhënësja e institucionit të akuzës bëri me dije se kryeprokurori Çela do të raportojë sot për punën e institucionit që drejton për vitin 2019. “Përshëndetje të gjithëve! Me urimin se fundjava ka kaluar më së miri edhe për ata që kanë qenë në punë, me lejoni t'ju informoj se nesër, dt. 11 maj, ora 13.00 Prokurori i Përgjithshëm do të jetë i pranishëm (virtualisht) në Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore për të prezantuar raportin vjetor të P. Përgjithshëm  “Mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2019”. Do të jemi ne kontakt serish nesër për të përcjellë informacionet përkatëse.  Faleminderit dhe mbrëmje të qetë!  Matilda”, thuhet në njoftim. Gazeta e publikoi pak ditë më parë raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme, ku thuhet se koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara, për 100.000 banorë në vitin 2019 është më i ulët se ai i vitit 2018, ndërkohë që theksohet se qarku i Vlorës është ai që ka nivelin më të lartë të krimit në vend, krahasuar me 11 qarqet e tjera.

“Koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara, për 100.000 banorë në vitin 2019 është 1072 ndërsa në vitin 2018 koeficienti i kriminalitetit ka qenë 1094.

Në lidhje me koeficientet e kriminalitetit për 100.000 banorë sipas qarqeve, të dhënat statistikore rezultojnë si më poshtë: në qarkun Vlorë që përfshin prokuroritë pranë gjykatave të Shkallës së Parë, Vlorë dhe Sarandë koeficienti i kriminalitetit për 100.000 banorë në vitin 2019 është 1660”, thuhet në raport. Më tej, Prokuroria bën me dije se për vitin që lamë pas në qarkun e Durrësit, numri i të proceduarve për krime të ndryshme i kalon mbi 1 mijë persona, ndërsa në qarkun e Elbasanit mbi 900 persona. “Në qarkun Durrës që përfshin prokuroritë pranë gjykatave të Shkallës së Parë Durrës dhe Krujë, koeficienti i kriminalitetit për 100.000 banorë në vitin 2019 është 1259; në qarkun Elbasan që përfshin prokurorinë pranë gjykatës së shkallës së parë Elbasan koeficienti i kriminalitetit për 100.000 banorë në vitin 2019 është 928”, thuhet në raport. Po ashtu, në raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme thuhet se numri i të proceduarve për krime të ndryshme i kalon mbi 1 mijë e 100 persona. “Në qarkun Tiranë që përfshin prokuroritë pranë gjykatave të Shkallës së Parë Tiranë dhe Kavajë koeficienti i kriminalitetit për 100.000 banorë në vitin 2019 është 1135”, thuhet në raport.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat