Këmbët e policëve mbi fytyrat e protestuesve, pamjet e pasdites në Tiranë - Bota Sot
Këmbët e policëve mbi fytyrat e protestuesve, pamjet e pasdites në Tiranë

Shqipëria

Këmbët e policëve mbi fytyrat e protestuesve, pamjet e pasdites në Tiranë

Më: 17 maj 2020 Në ora: 08:03
Pamje nga Tirana

(E plotësuar) - Pas përplasjeve të shumta që shoqëruan prishjen e Teatrit Kombëtar, një grup të rinjsh vendosën që në shenjë revolte të ulen këmbëkryq në rrugën pak metra larg godinës, por shumë shpejt u përballën me dhunën policore.

Aktivisti Isa Myzyraj përcolli në rrjetin social disa foto të kësaj dhune, teksa u shpreh se pamjet transmetojnë disa prej akteve më të rënda që ai vetë ka parë në protesta.

 “Kam vite të tëra që protestoj, dhe raportoj edhe për protesta, por ajo që kam parë sot në mesditën e së dielës, ka qenë një ndër aktet më të rënda që mund ta shihje live, që as nuk mund të përshkruhet në këtë shkrim, dhe as fotot nuk mund ta përcjellin, egërsinë e një shteti mbi qytetarin e vetë.

Nuk ka fotografi e video, që e përcjell ashtu si duhet, dhunën e ndodhur sot në mes të Bulevardit Dëshmorët e Kombit, dhunën e shtetit arrogant, e kriminal, mbi qytetarët e saj, të cilët kërkojnë asgjë më shumë sesa drejtësi, e mbrojtje të publikes”, ka shkruar Isa Myzyraj.

Image
Image
Image
Image

Pamje të pazakonta/ Sërish aksion për të shpërndarë protestuesit

Pamje të pazakonta vijnë nga qendra e kryeqytetit, metropoli shqiptar, vendi ku janë të gjitha institucionet qendrore më të rëndësishme të vendit dhe ku ndodhet ‘ajka’ e kombit.

Policë që ecin më këmbë si në filmat e perëndimit të egër me maska në fytyrë dhe pas tyre automjetet.

Efektivë të shumtë policia i janë drejtuar zonës ku ndodhen protestuesit për t’i shpërndarë dhe liruar rrugën.

Protestuesit janë përgjigjur me thirrjet ‘polici e paligjshme’, ‘protesten e lejon kushtetuta’, ‘Me cilin ligj po na largoni’, ‘Ne jemi teatri’ etj.

***

Teksa situata mbetet e tensionuar në kryeqytet, protestuesit kanë realizuar disa parulla në shenjë të revoltës së tyre dhe kundërshtisë së shembjes së Teatrit Kombëtar.

“Jetojmë për lirinë”, “S’e bëri tërmeti e bëri pushteti”- janë disa prej tyre.

Ndërkohë protestuesve u është bashkuar edhe aktori Neritan Liçaj, i liruar nga komisariati numër 4, i cili u shoqërua nga policia bashkë me artistë, protestues dhe përfaqësues të opozitës pak orë më parë.

Image

Protestuesit përplasen me policinë: Turp, turp! 

Qytetarët vazhdojnë të jenë të tensionuar para Teatrit Kombëtar dhe vazhdimisht po përplasen me policinë.

Edhe pak minuta më parë ka pasur një përplasje me policinë, ndërsa turma thërret “turp, turp”.

Kujtojmë se janë dhjetëra artistë dhe protestues të tjerë të shoqëruar nga policia.

Image

Qytetarët gjuajnë me shishe policinë

Në sheshin para Ministrisë së Brendshme, protestuesit kanë gjuajtur me mjete piroteknike dhe shashka efektivët e policisë, duke sjellë dhe reagimin e këtyre të fundit duke bërë disa shoqërime.

Ajo që vihet re është edhe një tensionim mjaft i madh i situatës, ndërsa efektivët e policisë janë shtuar ndjeshëm në numër në zonën para Galerisë së Arteve për të ruajtur rendin.

Në përplasjet me policinë ka qenë edhe ish deputetja e PD, Albana Vokshi.

Image
Image

***

Në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, forca të shumta policore dhe mjetet e rënda të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit kanë nisur punën për shembjen e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë.

Policia është konfrontuar me grupin e artistëve rezistentë që po mbronin Teatrin Kombëtar të cilët, së bashku me disa figura politike janë shoqëruar në komisariat, ndërsa zona është blinduar nga forcat e policisë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi kanë kundërshtuar ndërhyrjen për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar, ndërsa kryeministri Rama theksoi se askush nuk do të ndalojë zhvillimin e Tiranës.

Rama ka postuar një video në rrjetin social Facebook ku ka thënë se personat qe kundërshtojnë ndërtimin e teatrit, janë të njëjtët që kanë kundërshtuar çdo projekt rindërtimi në Tiranë.

Çështja, protesta dhe debati për shembjen dhe ndërtimin e Teatrit Kombëtar kanë vazhduar për 2 vitet e fundit.

Presidenti i vendit e ka dërguar para për herë të dytë në Gjykatë Kushtetuese këtë çështje. Ai i kërkoi Gjykatës të shfuqizojë si antikushtetues ligjin special Fusha dhe të ndalet rrëzimi i Teatrit Kombëtar, derisa Gjykata Kushtetuese të dalë me një vendim për ligjshmërinë e këtyre hapave nga qeveria.

Ky ligj u miratua përmes një vendimi të qeverisë, ku Teatri Kombëtar kaloi si pronë e Bashkisë së Tiranës.

“Përmes këtij akti, shqiptarët kudo janë, sot po rrezikohen të humbasin një pasuri publike me interes të lartë kombëtar. Me prishjen e tij, trashëgimia kulturore dhe identiteti kombëtar që mishërohet në këto godina, synohen të zhduken, dhe memorja jonë e përbashkët kolektive, të humbasë. Ky vendim i Këshillit të Ministrave vazhdon të bartë qëllimin antikushtetues për cenimin e pasurive pronë publike që janë të lidhura ngushtësisht me trashëgiminë kulturore kombëtare dhe identitetin kombëtar”, kishte thënë presidenti Meta.

Qeveria dhe Bashkia e Tiranës kanë thënë se teatri i ri është pjesë e planeve për zhvillimin e qytetit. Ata kishin miratuar një ligj special në parlament, që një firmë private ta ndërtonte objektin e ri. Por, pas protestave dhe reagimeve të shumta, ky plan ishte pezulluar.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkonte restaurimin e ndërtesës 80 vjeçare, pa e shembur atë duke e cilësuar godinën si kujtesë kolektive dhe pasuri kombëtare.

***

Në orët e para të mëngjesit ka nisur nisur shembja e Teatrit Kombëtar. Pas shembjes së teatrit për mediat u prononcua edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Basha tha se ky veprim i bërë nga Edi Rama shpjegohet me tre fjalë: dhunë, babëzi dhe hajdutëri. “Kjo që ndodhi sot shpjegohet me tre fjalë. Dhunë, babëzi dhe hajdutëri është kjo që ndodhi sot. Përgjegjësi i vetëm për këtë situatë, për prishjen e teatrit, për dhunimin e mediave dhe dhunimin e protestuesve është Edi Rama.

Në fillim policia ka ushtruar dhunë ndaj gazetarëve pastaj ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve. Aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit janë dhunuar dhe arrestuar nga policia”- tha Basha.

Image

Pas këtij aksioni, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama.

Rama ka postuar një video në facebook ku tregon se protestuesit që protestonin për ruajtjen e godinës nuk e duan zhvillimin e kryeqytetit.

Sipas Ramës, protestuesit janë të njëjtën persona që kanë protestuar edhe për projekte të tjera madhore.

Ja videoja e postuar nga Rama:

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat