Meta sqaron platformën që ‘acaroi’ SHBA-të: Ia propozova Ramës dhe ambasadorëve që në 8 prill

Shqipëria

Meta sqaron platformën që ‘acaroi’ SHBA-të: Ia propozova Ramës dhe ambasadorëve që në 8 prill

Më: 22 maj 2020 Në ora: 12:42
Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta ka dalë në një konferencë pvr mediat duke sqaruar qëndrimet e tij për temat e aktualitetit politik.

Ai u shpreh se mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese përbën një shqetësim. Meta tha se zhvillimet e fundit e kanë shokuar.

“Shembja e Teatrit Kombëtar shokoi të gjithë opinionin botëror” – tha Meta.

Ai lexoi edhe platformën që ka propozuar për qeverinë dhe opozitën.

“Që më 8 prill, i kam nisur Kryeministrit Rama këtë projekt-platrformë, ambasadorëve të BE dhe gjithë atyre që janë të interesuar për rrugëtimin tonë të integrimit”, tha ai.

Presidenti deklaroi se lidhur me projekt-platformën nuk ka marrë ende asnjë përgjigje.

Ai tha se propozimi vjen duke risjellë në vëmendje problemet lidhur me zbatimin e duhur të reformës në drejtësi, dhe krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë.

Sipas tij, të gjitha palët duhet të ndërveprojnë përmes një dialogu konstruktiv, të dakordësohen dhe të ndërmarrin veprimet e mëposhtme:

Pikat e projekt-platformës

1-Mazhoranca dhe opozita (parlamentare dhe jo-parlamentare) duhet të përfundojnë me vendosmëri Reformën Zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe konkluzioneve të Këshillit Europian për Çështjet e Përgjithshme.

2- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të vazhdojë funksionimin, duke përfshirë ndryshimin e akteve nënligjore të tij, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias në draft-opinionin e 6 marsit. Për tre vendet e lira (2 nga Presidenti dhe 1 nga Parlamenti), KED duhet të paraqesë listat e kandidatëve për secilin institucion sipas sekuencës kushtetuese: Presidenti – Parlamenti – Presidenti

3- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të pajtohet me pjesëmarrjen e Avokatit të Popullit në të gjithë veprimtarinë e tij dhe diskutimet, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin.

4- Mandati i Kryetarit aktual të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi përfundon me emërimin e tre gjykatësve të Gjykatës së Lartë. Kryetari aktual i KED humbet menjëherë të gjitha të drejtat për të vazhduar ushtrimin e mandatit të tij, me vonesë të gjatë, si anëtar i Gjykatës së Lartë, dhe për pasojë si Kryetar i KED.

5- Këshilli i emërimeve në drejtësi vazhdon të funksionojë sipas ligjit, kryesohet nga Nënkryetari.

6- Parlamenti Shqiptar merret menjëherë me çdo boshllëk ligjor, në mënyrë që Presidenti dhe Parlamenti të plotësojnë vendet e mbetura bosh në KED brenda 1 viti kalendarik.

7- Parlamenti Shqiptar tërhiqet nga çdo iniciativë ligjore që ndryshon formatin dhe procedurën e betimit në detyrë të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarët e tjerë të lartë të sistemit gjyqësor.

8- Parlamenti Shqiptar tërhiqet nga “Paketa Anti-shpifje” dhe nga çdo nismë e ngjashme ligjore në të ardhmen.

9- Çdo ndryshim ligjor ose kushtetues që lidhet me reforma gjyqësore duhet të bëhet vetëm përmes konsensusit unanim të Këshillit Politik.

10- Në kuadrin e Këshillit Politik, partitë bien dakord brenda qershorit për të emëruar Shef-Negociator për anëtarësimin në BE, një ekspert të nivelit të lartë, integriteti, besueshmëria dhe profesionalizmi i të cilit është i pajtueshëm nga të gjitha palët.

11- Të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore, dhe sa më shpejt të jetë e mundur.

12- Këshilli i Lartë Gjyqësor Këshilli i Lartë i Prokurorisë miraton menjëherë hartën e re gjyqësore për rishpërndarjen e burimeve njerëzore brenda sistemit të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatat e Shkallës së Parë, dhe vazhdohet me plotësimin e vendeve bosh të krijuara nga dorëheqjet ose vettingu.

13- Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të përcaktojë parësore mbingarkesën e Gjykatës Administrative të Apelit, dhe të propozojë masat e nevojshme që lejon një proces të rregullt brenda afatit kohor (1 muaj) në këtë Gjykatë.

14- Parlamenti Shqiptar duhet të shqyrtojë pa interes politik, kandidatët e propozuar nga Presidenti i Republikës për Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat