“Hetim ndërkombëtar për Teatrin”, Ilir Meta zbulon lëvizjen e radhës

Shqipëria

“Hetim ndërkombëtar për Teatrin”, Ilir Meta zbulon lëvizjen e radhës

Më: 22 maj 2020 Në ora: 22:01
Ilir Meta

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka zhvilluar një bisedë online me përfaqësuesit e “Europa Nostra” në lidhje me çështjen e shembjes së Teatrit Kombëtar, çështje kjo e cila ka qenë kryetema e zhvillimeve socio-politike në Shqipëri. 

Me një status në “Facebook”, Meta ka falënderuar përfaqësuesit e “Europa Nostra” për kontributin dhe vëmendjen e treguar mbi ruajtjen e trashëgimisë kulturore të vendit tonë.

“Një bashkëbisedim tepër i frytshëm dhe i ngrohtë me përfaqësuesit e “Europa Nostra”, Zëvendëspresidentin ekzekutiv, z.Guy Clausse, Sekretaren e Përgjithshme, znj.Sneska Quaedvlieg-Michailovic, dhe anëtarin e bordit, Profesor Paolo Vitti. Mirënjohje për angazhimin dhe vëmendjen që “Europa Nostra” ka treguar ndaj promovimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe historike të vendit tonë.”, shkruan  Meta.

Kreu i shtetit thotë se ka rënë dakord me përfaqësuesit e “Europa Nostra”, që të zhvillohet një hetim ndërkombëtar për rrënimin e godinës së Teatrit.

"Duke u ndalur në çështjen e Teatrit Kombëtar, e falenderova “Europa Nostra” për mbështetjen krah “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit” në mbrojtje të këtij kompleksi dhe gjithë zonës historike të Tiranës.

Theksova se shembja e paligjshme e Teatrit Kombëtar është çështje kushtetuese, e trashëgimisë historike dhe identitetit kombëtar, tashmë edhe një çështje europiane. Ramë dakord për domosdoshmërinë e nisjes së një hetimi ndërkombëtar mbi këtë çështje dhe informimin e mëtejshëm të niveleve më të larta europiane. Sepse siç me të drejtë tha Profesor Paolo Vitti: “Europa nuk është vetëm euro, por edhe kulturë, solidaritet, humanizëm dhe identitet”, shton ai.

Në fund të statusit të tij, Meta bën me dije se nga sot ai do të jetë “anëtari” më i ri i “Europa Nostra”, qëndrim ky që tregon vendosmërinë e Presidentit për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare.

“Teatri Kombëtar ishte dëshmori i parë i Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’, por demokracia dhe kultura europiane do fitojë”. Nga sot më konsideroni edhe mua anëtarin më të ri të “Europa Nostra”, shtoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat