Shqipëria hap xhamitë në ditën e Bajramit

Shqipëria

Shqipëria hap xhamitë në ditën e Bajramit

Më: 23 maj 2020 Në ora: 20:09
Ilustrim

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka sqaruar mënyrën sesi do të bëhet nesër falja e Namazit për festën e Fitër Bajramit. Kreu i qeverisë u shpreh se bashkë me komunitetet fetare ka përgatitur një protokoll sigurie për faljen që do të bëhet nëpër xhami. I njëjti protokoll më pas do të ndiqet edhe në vazhdim për të gjithë besimtarët.

“Kemi bashkëpunuar këto javë me komunitetet fetare dhe kemi përgatitur protokollet e sigurisë shëndetësore, duke marrë, vlerësuar e miratuar propozimet e tyre, jemi gati të vendosim çeljen e aktivitetit të tempujve nga java e ardhshme,”-shkruan Rama.

Më tej, numri një i maxhorancës, nuk ka lënë mangët edhe ironinë për kundërshtart politikë, të cilët janë shprehur se besimtarëve myslimanë po u mohohet e drejta për të praktikuar besimin e tyre. Ndër të tjera, Rama shkruan se ata po përpiqen që të bindin edhe komunitetin mysliman që t’i bashkohet, atij që kryeministri e quan “revolucion imagjinar”.

“Patriotë dhe parimorë të Shqupit e të Lalzit, që prej vitesh përleshen për popullin e shtypur dhe shfaqen si çeta e Shahin Verdhës së Vitit të Mbrapshtë, herë me molotov e me gurë, herë me mandatin e djegur e herë me kafkën e Hamletit në dorë, kudo e kurdo ne të tjerët përpiqemi të ndryshojmë për mirë Shqipërinë e të ndërtojmë vepra të reja, pasi sakrifikuan jetën e tyre në mbrojtje të Karakatinës së Teatrit Kombëtar, janë ringjallur si ndjekës të flaktë të profetit për të nxitur komunitetin musliman t’u bashkohet Revolucionit të tyre Imagjinar për Bajram. Zoti u ktheftë ndonjë pikë nga vaji i kandilit të arsyes që u ka shterrur krejt, se tjetër derman për ta kjo tokë nuk ka përveç keqardhjes e mëshirës për lajthitjen e tyre”, shkruan më tek ai.

Fillimisht lajmin se falja e Namazit do të bëhet në xhami dhe jo në sheshin “Skënderbej”, e dha KMSH, e cila me anë të një njoftimi shprehej se rituali do të bëhej në objetin fetar. Megjithatë ende nuk është saktësuar sesi do të qarkullojnë besimtarët, pasi për shkak të izolimit total që do të bëhet të dielën, nuk lejohet qarkullimi i makinave.

POSTIMI I PLOTË:

Komitët patriotë dhe parimorë të Shqupit e të Lalzit, që prej vitesh përleshen për popullin e shtypur dhe shfaqen si çeta e Shahin Verdhës së Vitit të Mbrapshtë, herë me molotov e me gurë, herë me mandatin e djegur e herë me kafkën e Hamletit në dorë, kudo e kurdo ne të tjerët përpiqemi të ndryshojmë për mirë Shqipërinë e të ndërtojmë vepra të reja, pasi sakrifikuan jetën e tyre në mbrojtje të Karakatinës së Teatrit Kombëtar, janë ringjallur si ndjekës të flaktë të profetit për të nxitur komunitetin musliman t’u bashkohet Revolucionit të tyre Imagjinar për Bajram. Zoti u ktheftë ndonjë pikë nga vaji i kandilit të arsyes që u ka shterrur krejt, se tjetër derman për ta kjo tokë nuk ka përveç keqardhjes e mëshirës për lajthitjen e tyre. Pasi kemi bashkëpunuar këto javë me komunitetet fetare dhe kemi përgatitur protokollet e sigurisë shëndetësore, duke marrë, vlerësuar e miratuar propozimet e tyre, jemi gati të vendosim çeljen e aktivitetit të tempujve nga java e ardhshme, me të gjitha kufizimet përkatëse, duke e nisur nesër me këmbë të mbarë e me bekimin e dritës së ditës së bukur të kalendarit të besimit. Duke ju uruar megjithë zemër bajramin besimtarëve muslimanë, uroj edhe që hapja e xhamive (nën kujdesin e madh të drejtuesve shpirtërorë të komunitetit për respektimin e protokollit të propozuar prej vetë atyre) të jetë një ogur i mirë paqeje e mirësish, për të gjitha komunitetet dhe vetë shqipërinë e shqiptarët në këtë kohë jo të lehtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat