“Zgjedhorja”, Bylykbashi: Problem krimi zgjedhor. Vasili: Dakordësi për kuotën gjinore - Bota Sot
“Zgjedhorja”, Bylykbashi: Problem krimi zgjedhor. Vasili: Dakordësi për kuotën gjinore

Shqipëria

“Zgjedhorja”, Bylykbashi: Problem krimi zgjedhor. Vasili: Dakordësi për kuotën gjinore

Më: 26 maj 2020 Në ora: 15:03
Petrit Vasili dhe Oerd Bylykbashi

Ashtu siç deklaroi socialisti Damian Gjiknuri, edhe Oerd Bylykbashi i Partisë Demokratike pranoi në përfundim të mbledhjes së Këshillit Politik për reformën zgjedhore, dakordësitë e arritura.

Ai deklaroi se u ra dakord për zvogëlimin e periudhës zgjedhore në dy periudha nga 15 prill deri 15 maj dhe nga 15 tetor deri në 15 nëntor, kjo sipas tij për të mos pasur ndikim në turizëm.

Bylykbashi shtoi se u dakordësuan shumë element për financimin miks të partive, ku siç sqaroi, synimi i Partisë Demokratike është reduktimi i në mënyrë drastike i financimit privat, “në mënyrë që të pastrohet politika dhe fushata nga interesa të paklijshme që penetrojnë në fushatë”.

Por ai cilësoi si problematikë krimin zgjedhor, duke thënë se ajo që duhet patjetër të garantohet, është mbrojtja e zgjedhësit shqiptar, në mënyrë që ta hedh votën e lirë dhe në sekret të plotë.

“Ajo që ne kemi në diskutim në ditët në vijim, janë masa që rregullojnë rolin e policisë, prokurorisë, SPAK, në goditjen e krimit zgjedhor. Masa që do merren për të mbrojtur sekretin e votës, që kutia e votimit nuk mbushet dhe në mënyrë që të garantohet që janë vota reale dhe jo mbushje kutish nga komisonerët. Duhet garantim që vota është e vërtetë në mënyrë që të luftohet krimi zgjedhor”, tha Bylykbashi.

Nga ana e tij përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, deklaroi se u dakordësua momenti delikat i kuotës gjinore, në mënyrë që 1 në 3 kandidate të jetë femër.

“Duhet që kuota gjinore të ketë zbatimin e saj në praktikë, për të shmangur historitë e së shkuarës. Përpilimi i këtyre dispozitave mbrojtëse është çështje që besojmë se ekspertët do gjejnë një model të pranueshëm, në mënyrë që të hidhet hap që krijon premisa për një garë të hapur dhe akses të femrës shqiptare”, tha Vasili.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat