CoVid-19/ 21 raste të reja, 13 janë personel shëndetësor

Shqipëria

CoVid-19/ 21 raste të reja, 13 janë personel shëndetësor

Më: 27 maj 2020 Në ora: 10:49
Ilustrim

Në 24 orët e fundit vazhdon të jetë i lartë numri i rasteve te reja te prekur me Sars-Cov2 në Tiranë, ndërsa të gjithë zonat e tjera në Shqipëri rezultojnë pa raste të reja.

Dr. Flutura Beqo nga Ministria e Shëndetësisë tha se janë testuar 262 qytetarë të dyshuar të prekur me Covid-19 dhe janë konfirmuar 21 raste pozitive, të gjitha në Tiranë.

“Nga një hetim i thellë epidemiologjik, rezulton se ndër rastet e reja janë 13 të prekur në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës, personel shëndetësor dhe pacientë, kontakte të një infermiere e cila rezultoi pozitive dy ditë më parë, e infektuar jashtë spitalit. Prej tyre 9 janë pa simptoma dhe të vetëizoluar, ndërsa 4 pacientë janë transferuar në spitalin infektiv. Ndërkohë vijon hetimi epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë, e cila mbetet vatra kryesore në vend”, deklaroi Beqo.

Po ashtu, Beqo konfirmoi se vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 25 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive.

Gjatë 24 orëve të fundit janë të shëruar 9 qytetarë, duke e çuar mbi 800 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Në Shqipëri, deri tani janë kryer mbi 15 mijë testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1050. Prej tyre aktualisht janë 205 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik dhe higjienën personale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat