“Të hapen kutitë”, hapen me kërkesë të një anëtari të KAS, gjatë procesit të ankimimit

Shqipëria

“Të hapen kutitë”, hapen me kërkesë të një anëtari të KAS, gjatë procesit të ankimimit

Më: 14 qershor 2020 Në ora: 20:35
Ilustrim

Marrëveshja e 5 qershorit me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve dhe pas shqetësimeve të ngritura nga PD për shitblerjen e votës, PS ka rënë dakord për hapjen e kutive dhe llogaridhënie të administratës zgjedhore.

Me ndryshimet në Kodin e ri Elektoral, partitë politike kanë të drejtën për t’u pajisur me kopje ose për të këqyrur dokumentacionin zgjedhor dhe atë policor, përpara afateve të përcaktuara për zhvillimin e procedurave ankimore. 

Gjithashtu pritet të sanksionohet me ligj edhe hapja e kutive dhe marrja e provave, i cili mund të kryhet me kërkesë të një anëtari të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve në KQZ gjatë procesit të ankimimit.

Gjithashtu rishikimi i mëpasëm i fletëve të votimit dhe e materialit zgjedhor lejohet të bëhet vetëm pasi të jetë shpallur rezultati përfundimtar, të jenë përmbyllur procedurat ankimore dhe zgjedhjet të kenë përfunduar.

Këqyrja bëhet nga KQZ-ja, me përzgjedhje rastësore, ose me kërkesë të palëve të interesuara, me përcaktim.

Pavarësisht së kush ka marrë nismën për këqyrjen, procesi realizohet nga personeli i KQZ-së në seancë publike, në të cilën ftohen të marrin pjesë kërkuesi dhe përfaqësuesit e partive parlamentare në KQZ.

Procesi videoregjistrohet dhe videoregjistrimi ruhet në arkivin e KQZ-së. Për një periudhë tranzitore deri në formimin e plotë të Gjykatës Administrative të Apelit, shkalla gjyqësore e ankimimit ndaj vendimeve të KAS-it kryhet në Kolegjin Zgjedhor.

Në short përfshihen të gjithë gjyqtarët e apelit por edhe të shkallës së parë të cilët e kanë kaluar me sukses procesin e vetingut në momentin e hedhjes së shortit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat