​Majko: Shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme - Bota Sot
​Majko: Shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme

Shqipëria

​Majko: Shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme

Më: 22 qershor 2020 Në ora: 19:29
Ilustrim

Ministri i Diasporës, Pandeli Majko, deklaroi sot se “mazhoranca ka vullnet të plotë, dhe besoj se ky do të kthehet në një fakt, në zgjedhjet e ardhshme do të marrin pjesë të gjithë shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit”.

Në mbledhjen e Këshillit Koordinues të Diasporës, ministri Majko theksoi se “unë i bashkohem mendimit të Këshillit Koordinues se e drejta kushtetuese nuk ka nevojë për negociata, për më tepër edhe opozita që është larguar nga parlamenti, edhe opozita që ndodhet në parlament janë shprehur për të drejtën e votës së shtetasve tanë jashtë vendit”.

“Ka kaluar një histori shumë e gjatë dhe ndoshta ky është parlamenti i parë që ka krijuar komisionin e reformës elektorale në 2017, ku që në 3 muajt e parë ne depozituam modelet për votimin e shtetasve tanë jashtë vendit dhe kemi pritur që të merrej një vendim, bashkëpunuam dhe me OSBE”, nënvizoi Majko.

Ministri Majko u shpreh se “pastaj krizë pas krize, duke ndjekur historitë e krizave deri sa opozita u largua nga parlamenti dhe kjo pothuajse krijoi një vonesë të jashtëzakonshme, pastaj erdhi opozita tjetër. Më pas ne krijuam një grup tjetër me përfaqësues nga të gjithë ministritë dhe i kemi dërguar që nga viti 2019 të gjitha propozimet dhe modelet tona në Komisionin e Reformës Zgjedhore.

“Në qoftë se kemi pasur një model pak ndarës me zotin Gjiknuri, nuk është kështu, ishte thjesht teknik. Ajo që duhet të bëjmë është me shumë rëndësi të vendosen detaje të dispozitave ligjore për votën e emigrantëve, pasi nuk janë 10%, por gati gjysma e shqiptarëve dhe duhet të ketë listë të veçantë me shqiptarët brenda vendit dhe ata jashtë. Ka shumë rëndësi që KQZ të ketë dispozita ligjore që të funksionojë për të drejtën e votës së shtetasve jashtë vendit dhe nuk mund të lihet të veprojë thjesht me akte normative”, tha Majko.

Sipas tij, vota e shtetasve jashtë vendit është shumë e rëndësishme për t’ia lënë në dorë KQZ.

“Ky është momenti më i rëndësishëm i një reforme strukturore në kodin zgjedhor. Interesat politike kanë qenë kaq të komplikuara dhe afatshkurtra, sa nuk kanë lejuar hapësirë për një vendimmarrje të tillë. Por jam i lumtur që vullneti i mazhorancës që në zgjedhjet e ardhshme shtetasit shqiptarë jashtë vendit të votojnë për fatet e vendit të tyre”, tha Majko. /atsh

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat