Covid-19 shtrihet pothuajse në gjithë Shqipërinë, rriten dukshëm rastet e reja

Shqipëria

Covid-19 shtrihet pothuajse në gjithë Shqipërinë, rriten dukshëm rastet e reja

Më: 25 qershor 2020 Në ora: 11:54
Konferenca per media

“Fluturon” kurba e infeksionit të Covid-19 në vendin tonë. Në 24 orët e fundit, janë identifikuar përmes testimesh 78 raste të reja. Numrin më të lartë të prekurve ditorë e ka Shkodra, pas saj vjen Kruja dhe e treta Tirana. Pra, kryeqyteti e humbet “primatin” në këtë drejtim, për këtë periudhë kohore të paktën.

Ja deklarata e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale:
“Ju bëjmë me dije situatën epidemiologjike në vend, ku vijon të ketë shtrime të reja në spital, të ketë rritje të të prekurve nga Covid-19, pothuajse në të gjithë Shqipërinë. Ndaj ftojmë çdo qytetar të tregojë kujdes me ruajtjen e higjienës personale, me mbajtjen e distancës fizike, vendosjen e maskës në ambiente publike. Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 344 testime për të dyshuar të prekur me Covid-19, nga të cilët janë konfirmuar 78 raste pozitive.

Një pjesë e mirë e rasteve ditore lidhen me kontakte të rasteve të mëparshme pozitive, ndërkohë që vazhdon hetimi për raste të reja. Numrin më të lartë të të prekurve ditorë e ka Shkodra me 14 raste, Kruja me 13 të prekur, Tirana me 12, Puka me 9, Delvina me 6, nga 4 raste në Gjirokastër, Vlorë dhe Kukës, nga 2 raste në Kamëz, Durrës, Fier, nga 1 rast në Kurbin, Korçë, Kavajë, Lushnje, Mirditë, Pogradec.

Ndërkohë, në Spitalin Infektiv aktualisht po trajtohen 76 pacientë, 14 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 të intubuar. Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 33 qytetarë, duke e çuar në 1250 numrin e tyre nga fillimi i epidemisë.

Në vendin tonë janë aktualisht 894 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale iu drejtohet të gjithë qytetarëve të respektojnë masat e vendosura, ndërsa bizneset të zbatojnë protokollet e miratuara të sigurisë.

Qytetarë, mbani duart të pastra dhe mos e prekni fytyrën. Lani duart sa më shpesh për të paktën 20 sekonda. Ruani distancën fizike në ambientet publike. Kudo kur kjo nuk është e mundur, vendosni maskë apo barrierë mbrojtëse.

Bizneset të sigurojnë vazhdimisht elementët e higjienës si sapun, letër për pastrimin e duarve, dezinfektantë. Siguroni ajrosjen e mirë, pastrimin dhe dezinfektimin e ambienteve të punës.  Përdorni maskat apo barrierat mbrojtëse gjatë kohës që u shërbeni qytetarëve.

Task forca anti-covid nuk do të tolerojë shkelje të rregullave të sigurisë, duke e konsideruar rrezik për shëndetin e qytetarëve. Mininistria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale iu drejtohet qytetarëve të shmangin vendet me grumbullime, pasi janë burim për përhapjen e infeksionit.

Kontaktoni nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 me mjekun e familjes për barnat me rimbursim, apo infromacion për Covid-19. Nëse dyshoni se jeni të prekur duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127″.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat