Alarmi në Shqipëri/ Rastet e 3 javëve të fundit, sa në 3 muajt e parë të epidemisë

Shqipëria

Alarmi në Shqipëri/ Rastet e 3 javëve të fundit, sa në 3 muajt e parë të epidemisë

Më: 29 qershor 2020 Në ora: 08:37
Shqipëri

Në Shqipëri, vetëm në tre javët e fundit rastet e reja me koronavirus, janë thuajse në nivele të njëjta me ato të regjistruara përgjatë 3 muajve të parë që nga fillimi i epidemisë. Deri më sot numërohen 1139 raste, ndërkohë që nga 9 marsi deri më 9 qershor ishin 1263 të tilla.

Ritmet e larta të rasteve nuk po dëshmojnë as një tendencë rënëse. Vetëm 24 orët e fundit u regjistruan 72 të prekur të rinj, në 14 qytete të ndryshme: 19 të prekur në Tiranë, 9 në Krujë, nga 8 raste në Shkodër, Durrës, Pukë, nga 4 raste në Sarandë dhe Vlorë, nga 3 raste në Fier, Lushnje, 2 në Lezhë, dhe nga 1 rast në Korçë, Elbasan, Has, Kavajë.

Në të gjithë vendin janë aktualisht 963 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

Me ritme shqetësuese, po shtohen dhe viktimat. Për tre ditë me radhë, janë shënuar 7 vdekje. Mesditën e së dielës, autoritetet njoftuan se në 24 orët e fundit kanë humbur jetën në spital një 70 vjeçar nga Shkodra dhe një 54 vjeçar nga Tirana, të cilët vuanin dhe nga sëmundje të tjera. Pasdite u njoftua për një viktime të tretë. “Një pacient 70 -vjeçar nga Shkodra, i cili po trajtohej në terapi intensive nuk e ka fituar dot betejën me COVID19, megjithë asistencën e madhe mjekësore. 70-vjeçari i konfirmuar me COVID19, vuante nga diabeti dhe ishte i shtruar prej disa ditësh në gjendje të rëndë”, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë. Në 17 ditët e fundit janë rregjistruar 22 viktima, ndërsa në total janë 56 persona që janë ndarë nga jeta

Në Shërbimin Infektiv, vijojnë të rriten të shtruarit, e veçanërisht ata në gjendje të rëndë. SIpas të dhënave të mesditës së sotme, në 24 orët e fundit nga 77 pacientë, 15 janë në terapi intensive dhe 2 të tjerë të intubuar.

Rastet me koronavirus, janë përhapur thuajse në të gjithë vendin, dhe të infektuarit po vërehen në ndërmarrje private dhe institucione publike. Ministria e Shëndetësisë vijon të përsërisë thirrjet drejtuar qytetarëve për zbatimin e rregullave të sigurisë.

“E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike, duke vendosur maskën kur nuk ruani dot distancën, duke ruajtur higjienën personale, bizneset dhe institucionet duke respektuar protokollet e përcaktuara. Respektimi strikt i masave të vendosura do të ruajnë shëndetin tuaj dhe njerëzve tuaj të dashur. Shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve”, u shpreh sot Rovena Daja e Institutit të Shëndetit Publik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat