Kush po fluturon nga Rinasi?

Shqipëria

Kush po fluturon nga Rinasi?

Më: 30 qershor 2020 Në ora: 16:26
Foto ilustrim

Hapja e kufijve duket se po i shërben kryesisht shtetasve të huaj, pasi shqiptarët lejohen të kalojnë kufirin vetëm nëse disponojnë dokumente të rregullta. Ora News ishte sot në Rinas, për të përcjellë historitë e fatlumëve që arrijnë të marrin avionin.

Një javë nga hapja e kufijve ajrorë, në aeroportin "Nënë Tereza", lëvizja është shtuar ndjeshëm, por ajo që bie në sy është se fatlumët, janë të huaj, pasi shqiptarët duhet të jenë të pajisur me dokumente të rregullta, për të shkelur në tjetër shtet.

I tillë është rasti i Jakob, 24-vjeçarit nga Hungaria, i cili së bashku me miqtë e tij, mori avionin nga Budapesti 1 javë më parë, për të shijuar rivierën e jugut.

"Kam dashur gjithmonë të vij në Shqipëri për turizëm, por këtë vit morëm vendimin, pasi zbuluam se kufiri ishte hapur. As këtu dhe as në vendin tim nuk ka karantinë. Asnjë nga ne nuk pati frikë, pasi dimë se në Shqipëri, të prekurit janë raste kontakti, dhe shifrat nuk janë të larta. U kënaqëm shumë, bregdeti ishte fantastik."

Edhe Sofilda ishte në aeroport, pasi përcolli mikun e saj italian, të cilin se kishte takuar prej muajsh.

Vetë nuk e mori dot avionin drejt Italisë, pasi nuk ka leje qëndrimi.

Kështu, saga e biletave të anuluara dhe mbetjes për muaj me rradhë në atdhe, është historia e zakontë tashmë e emigrantëve shqiptarë.

Mbyllja e kufijve të shteteve të tjera ka prekur edhe Mimozën, e cila shkel në vendin tonë pas shumë kohësh.

Mundësi për të fluturuar, sipas autoriteteve vendase kanë dhe personat me probleme shëndetësore dhe biznesmenët, por burimet thonë se rastet e tilla kanë qenë sporadike.

Në këtë mënyrë, shqiptarët duhet të presin vendimin e radhës për të marrë avionin me shpresën se shifrat e të prekurve me koronavirus do të reduktohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat