Astrit Patozi: Një inkurajim, për dashnorët e koalicioneve!

Shqipëria

Astrit Patozi: Një inkurajim, për dashnorët e koalicioneve!

Më: 1 korrik 2020 Në ora: 18:45
Astrit Patozi

Ata që duan edhe hapjen e listave, edhe koalicione parazgjedhore, edhe pragun 0.5 përqind, edhe korrektim kombëtar, edhe proporcional si në Kosovë, edhe sistem të përzier danez, edhe zgjedhje si në Angli, dhe të gjitha këto njëkohësisht, bëjnë pjesë në dy kategori".

Kështu është shprehur Astrit Patozi, kreu i partisë "Bindja Demokratike, në një reagim, duke sulmuar kështu posaçërisht opozitën jashtë Kuvendit.

"Në rastin më të mirë, ata janë të paditur, dhe, siç ka rënë dakord njerëzimi prej shekujsh, këtyre u lejohet të thotë çfarë të duan dhe nuk ia vlen t’i komentosh", shton Patozi.

Sipas ish-kreut të grupit parlamentar demokrat, "në rastin më të keq, janë ca tipa që duan të na kujtojnë se janë gjallë, dhe duhet patjetër të shprehen për diçka. Ky, në fakt, është një hall real dhe i madh, por që nuk ua zgjidhim dot".

Reagimi i plotë i Astrit Patozit:

Të paktën Partia Demokratike është e sinqertë në qëndrimin e saj për këtë çështje. Ajo është e prononcuar publikisht se do që asgjë të mos ndyshojë në të gjithë maskaradën zgjedhore në Shqipëri, me kushtin e vetëm që njëri nga militantët e saj të ketë dorën brenda kutive të numërimit. Dhe për kaq ia bën kabull të gjitha vjedhjet e votave çunave problematikë të Edi Ramës ndër vite, madje edhe atyre që kanë dalë në mediat ndërkombëtare. Mund të mos jemi dakord me të, por nuk themi dot se nuk është e qartë për atë që kërkon.

Puna është se ata, që kuptojnë sado pak nga kjo çështje e dinë mirë që, nëse happen listat, automatikisht bien edhe koalicionet, gjithmonë në kuptimin klasik që ato kanë sot në legjislacionin tonë.

Por kjo nuk do të thotë absolutisht se partitë nuk kanë mundësi për aleanca, nëse sistemi do të ndryshojë, sepse kjo nuk është e vërtetë.

Nëse disa forca politike do të duan që të garojnë së bashku në një koalicion parazgjedhor, mund të hartojën një listë të përbashkët deputetësh. Dhe meqë shumëkush e ka në majë të gjuhës Kosovën, kur vjen fjala për zgjedhjet, është rasti i freskët i partive të Fatmir Limajt dhe të Behxhet Pacollit apo të Ramush Hajradinajt dhe të Shpend Ahmetit, që garuan së bashku në zgjedhjet e fundit dhe e ndanë së bashku rezultatin.

Mundësia tjetër është koalicioni paszgjedhor, ku secila nga partitë konkurron me listën e saj dhe bashkimi i forcave përfaqësuese ndodh pas zgjedhjeve. Është rasti tipik i aleancës qeverisëse të Vetvendosjes me LDK-në, që solli në jetë kabinetin e Albin Kurtit.

Mundësi tjetër nuk ka, gjithmonë nëse listat do të jenë të hapura. Por edhe kaq nuk janë pak, për atë që vërtet e ka syrin tek ndryshimi i politikëbërjes në Shqipëri dhe jo tek llogaritë meskine brenda gardhit të vet.

Paradakoksi qëndron në faktin se partizanët dhe fanatikët më të mëdhenj të avokatisë së koalicioneve parazgjedhore i përkasin njërës prej dy forcave politike, që nënshkruan marrëveshjen e pisët të 17 majit, e cila kapërceu mbi kushtetutën dhe kodin zgjedhor, për t’i ndaluar arbitrarisht aleancat mes partive para zgjedhjeve. Duke mos i dhënë asnjë mundësi, madje duke i penguar brutalisht disa prej aleatëve të sotëm të garonin bashkë dhe duke i cilësuar ata si e keqja e vendit, që duheshin zhdukur nga faqja e dheut. Një rast ky për t’u studiuar në politiologji dhe, sipas një meje, një argument i mjaftueshëm për t’i rrëzuar dhe mos njohur zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Por kjo nuk është tema e ditës tani.

Ndaj edhe sot mos na hiqen sikur do të shuhet Shqipëria, nëse nuk do të konkurrohet paraprakisht me koalicione në zgjedhje, se vetë e kanë aplikuar para tre vjetësh, duke përdhunuar kushtetutën dhe ligjet me shumicë të cilësuar të vendit, dhe nuk vdiq njeri. Ndërkohë, që sot, gjithmonë në rast se hapja e listave do të miratohet, po flitet që ajo do të shndërrohet në ndryshime në Kodin Elektoral, ndoshta edhe në kushtetutë. Që do të ishte me vite dritë larg asaj përdhosjeje të ligjeve të vendit dhe traditës kushtetuese të para 3 vjetëve, që u ekzekutua me firmën dhe me bekimin e zotit Luli Basha dhe të zotit Edi Rama. Dhe kjo do të ishte diferencë e madhe.

Por sido që ta vërtisim, ky është një debat që ka vlerë vetëm për ata, që nuk i kanë frikë zgjedhjet, pavarësisht nga emri, historia dhe pesha elektorale që kanë. Sepse po të hyri në bark ai lloj lepuri, nuk ka asnjë sistem, asnjë kod elektoral, asnjë koalicion, asnjë aleancë dhe asnjë garanci ndërkombëtare, që të të bëjë derman. Madje edhe sikur ambasadorja amerikane të përfshihet në fushatë me ty, njësoj si Rajersoni në vitin 1992, prapë se prapë nuk të del llogaria. Por kjo pastaj nuk është më një çështje politike, por psikoanalitike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat