Besa Shahini: Viti i ri shkollor do të fillojë më 14 shtator, por jo si më parë prej Covid-19

Shqipëria

Besa Shahini: Viti i ri shkollor do të fillojë më 14 shtator, por jo si më parë prej Covid-19

Më: 2 korrik 2020 Në ora: 12:31
Besa Shahini

Ministria e Arsimit ka bërë të ditur para pak ditësh datën e fillimit të vitit të ri shkollor (parauniversitar). Konkretisht, më 14 shtator pritet që nxënësit t’iu rikthehen meësimeve dhe bankave të shkollave.

Ama, epidemia e Covid-19 duket se do të vijojë ta ndikojë e ndryshojë mësimdhënien në vendin tonë, sikurse ndodhi prej marsit deri në fund të majit të këtij viti, ku nxënësit aplikuan të nxënit online, jo duke shkuar në shkollë.

Sipas ministres së arsimit, Besa Shahini, po punohet për detajimin e një plani, ku do ketë një kombinim të mësimit të zhvilluar në bankat e shkollës dhe atij online:

“Mësimi do të fillojë në shtator, por nuk do jetë i njëjti si më parë për shkak të Covid-19. Ne po zhvillojmë politikat e mësimit të përzier, një pjesë e të cilit do zhvillohet në shkollë dhe pjesa tjetër do të vijojë online dhe në kanalin e RTSH-së, “RTSH SHKOLLË. Do të bëhet një kombinim. Për planet e detajuara do të na duhet edhe pak kohë, sepse do të shohim si do të përhapet më tutje pandemia. Nëse frenohet përhapja do ta ndryshojmë planin, nëse përhapet shumë do të marrim një vendim tjetër. Do t’ju njoftojmë.

Gjatë kësaj kohe po zhvillohen xhirimet dhe RTSH do të jetë gati të zëvendësojë shkollën në kushte shtëpie. Nëse deri tani kemi përdorur në shumë raste “whatsapp”-in si një aplikacion i njohur më shumë nga nxënësit dhe mësuesit, tani do të fillojnë të përdorin një platformë tjetër. Sikurse e kemi vendosur tashmë, mësimi për shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme do të fillojë në datën 14 shtator”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat