“Ndaje mendjen me kë je”/ Zgjedhorja, Rama i përgjigjet Hajdarit: Na kanë akuzuar se…

Shqipëria

“Ndaje mendjen me kë je”/ Zgjedhorja, Rama i përgjigjet Hajdarit: Na kanë akuzuar se…

Më: 2 korrik 2020 Në ora: 13:47
Edi Rama

Pasi deputetja e opozitës, Rudina Hajdari iu drejtua Ramës për listat e hapura, duke i kërkuar që të tregojë nëse do të jetë pjesë e shumicës, apo pjesë e asaj pakice, që do e çoj drejt humbjes reagoi vetë kryeministri.

Në nisje të fjalimit të tij, Rama deklaroi:

“Jemi përpjekur gjatë gjithë kësaj kohe që të shprehim respektin për nevojën e  konsensusit duke mos ndarë ata që janë jashtë, me ju që jeni brenda, duke mos i konsideruar ata që janë jashtë si zotërues të monopolit të opozitës dhe duke mos ju konsideruar ju që jeni brenda si mbetje e përkohshme në këtë parlament, por si deputetë legjitimë të këtij parlamenti dhe si opozita që sot ky parlament ka. Natyrisht që nuk do të ishte mbase e udhës që të shpjegoj se kjo qasje e jona nuk lidhet me faktin thjesht se ne nuk i kemi votat, se për të miratuar kodin zgjedhor dihet që kërkohet një shumicë e cilësuar që ne nuk e kemi në kuvend, por e sjell këtu këtë fakt për të nënvizuar atë që ka qenë e qartë në vijën tonë të sjelljes. Ne nuk do të kërkojmë rrugën e  diversionit, as aq më pak rrugën e aritmetikës sikundër për fat të keq edhe ju zonja Hajdari, edhe kolegu juaj Murrizi na kanë akuzuar se duam ta mbyllim këtë lojë apo pazar, duke blerë vota. Ndërkohë që padiskutim sot konsensusi nuk është dot produkt i shëndetshëm nëse shihet si rezultat i një marrëveshjeje mes vetëm dy palëve, ndërkohë që në politikën shqiptare në këtë fazë janë tre palë, pavarësisht se ju Hajdari e keni firmosur marrëveshjen mbi të cilën është ngritur puna e detajuar për atë që është sot formalisht në tryezën e komisionit të ligjeve si produkt për t’u miratuar. Besoj që na takon si forca më e madhe politike, por edhe si një forcë që ka përgjëgjësinë të shohë përtej interesave të saj, të përpiqemi deri në fund të krijojmë një konsensus ku mbase çdo palë do duhet të pajtohet me faktin që nuk mund të marrë gjithçka. Dua t’jua kujtoj juve, se ata të tjerët nuk janë këtu, që edhe Partia Socialiste ka të drejtën të thotë diçka, kjo s’mund të jetë se jemi një pakicë e ndarë në dy pakica dhe vini dhe vetëm kërkoni, dhe vetëm i bini këmbës për të marrë sipas jush atë që i duhet popullit, ndërkohë që vullnetin e popullit në këtë vend e përfaqësojmë ne.”

Hajdari mbrojti fort idenë e listave të hapura, si një mundësi për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Ne që jemi në këtë Kuvend kemi marrë përsipër që të përfaqësojmë shqiptarët që duan lista të hapura. Është një lajm i mirë që kjo gjë të ecë përpara. Ka ardhur koha që Partia Socialiste të zgjedhë anën e saj. A doni të jeni pjesë e 10% që duan lista të mbyllura, do rrini pas militantëve dhe do t’u shërbeni interesave të ngushta të atyre, apo do bëheni pjesë e shqiptarëve që duan lista të hapura? Ne duhet t’i mbështesim këta qytetarë përmes listave të hapura. Ne i tregojmë atyre se jo vetëm duam listat e hapura, por zhvillim në vend dhe një Shqipëri që të shkojë drejt BE. Ndaj Edi Rama, nëse do të jesh pjesë e asaj pakice, do të jesh i humbur. Duhet të tregosh këtu se ti qëndron për atë pjesë të shumicës, të shqiptarëve që duan ndryshim në zgjedhjet e ardhshme.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat