Ligji antimafia/ SPAK, konfiskim pasurive kriminale pas letërporosisë nga Holanda - Bota Sot
Ligji antimafia/ SPAK, konfiskim pasurive kriminale pas letërporosisë nga Holanda

Shqipëria

Ligji antimafia/ SPAK, konfiskim pasurive kriminale pas letërporosisë nga Holanda

Më: 4 korrik 2020 Në ora: 15:14
Foto ilustrim

Pas letërporosisë nga autoritetet holandeze për disa shtetas që po hetohen nga prokuroria e Amsterdamit, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, konfiskimin e pasurisë të shtetasve Adriatik Memia dhe Lindita Memia.

Autoritetet Gjyqësore Holandeze, konkretisht Prokuroria e Amsterdamit, kanë përcjellë një kërkesë për ndihmë juridike, në të cilën kanë informuar se në Hollandë janë duke u hetuar shtetasit shqiptarë Ilirjan Memia, Valentin Selaj, Florenc Guri, Erion Koleci, Ded Pjetri dhe Jorgo Wajtaszczyk për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve”, “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga legjislacioni holandez dhe njëkohësisht nga Kodi ynë Penal.

Një pjesë të pasurive të fituara si rrjedhojë e aktivitetit kriminal dyshohet se këta shtetas i kanë transferuar në Shqipëri duke kryer investime të ndryshme.

Sipas letërporosisë nga hetimet e kryera në Hollandë ka rezultuar se shtetasit Ilirjan Memia, Valentin Selaj, Florenc Guri, Erion Koleci, Ded Pjetri dhe Jorgo Wajtaszczyk prej disa viteve kanë aktivitet kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike të llojit kokainë duke e trafikuar atë nga vendet e Amerikës Latine për në portin e Amsterdamit dhe me pas në vendet e tjera të Evropës si Angli, Itali etj. Gjatë këtyre hetimeve, këtyre shtetasve u janë sekuestruar sasia prej 97 kg lëndë narkotike e llojit kokainë dhe 16 kg heroinë.

Objekti i kësaj letërporosie ka qenë kryerja e verifikimeve pasurore për këta shtetas dhe familjarët e tyre në Shqipëri, si dhe kryerja e verifikimeve dhe mbledhja e të dhënave që mund të çojë drejt zbulimit të pasurive të këtyre shtetasve në shtete të tjera.

Mbi këtë bazë, SPAK ka regjistruar procedimin pasuror në ngarkim të shtetasit, Ilirjan Memia.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi Ilirjan Arif Memia dhe personat e lidhur me të Adriatik Arif Memia, vëllai i tij dhe Lindita Hysen Memia, bashkëshortja e vëllait të tij, kanë në Shqipëri disa pasuri të luajtshme dhe te paluajtshme.

Dispozitat e ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurive”, zbatohen për pasuritë e personit mbi të cilin ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në indicie për pjesëmarrje në krimin e organizuar.

Mbështetur në faktet e lartpërmendura, aktivitetin e dyshuar kriminal të shtetasit Ilirjan Arif Memia në Hollandë, mungesën e të ardhurave të ligjshme në Shqipëri dhe jashtë saj për shtetasit Ilirjan Arif Memia, Adriatik Arif Memia dhe Lindita Hysen Memia, si dhe pasuritë e konsiderueshme të paluajtshme dhe luajtshme që kanë në pronësi këta shtetas lindin dyshime të arsyeshme se këto pasuri janë si produkt i aktivitetit kriminal. /ATSH

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat