Dyfishohen grupet e inspektimit, pas gjobës, pezullim aktiviteti për shkelësit e rregullave anti-Covid - Bota Sot
Dyfishohen grupet e inspektimit, pas gjobës, pezullim aktiviteti për shkelësit e rregullave anti-Covid

Shqipëria

Dyfishohen grupet e inspektimit, pas gjobës, pezullim aktiviteti për shkelësit e rregullave anti-Covid

Më: 4 korrik 2020 Në ora: 18:01
Ogerta Manastirliu dhe Ardi Veliu

Bizneset që vijojnë të thyejnë rregullat anti-Covid do ta kenë më të vështirë anashkalimin e masave të vendosura nga autoritetet, kjo pasi në terren do të dyfishohen grupet e inspektimit. Këtë e garantoi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila gjatë një vëzhgimi në terren me drejtorin e përgjithshëm të policisë, Ardi Veliu, tha se inspektorët do të punojnë “24 orë në 7 ditë të javës”.

“Jemi në një situatë serioze, ku moszbatimi i masave dhe rregullave nga bizneset cenojnë shëndetin e popullatës pasi ndikon në përshkallëzimin e infeksionit. Ne nuk mundemi dot më të tolerojmë neglizhencën. Nuk mundemi dot të bëjmë një sy qorr dhe një vesh shurdh, kur shohim që masat nuk zbatohen në një biznes dhe ata të cilët shërbejnë nuk mbajnë maskë, kur shohim që në restorante ka një grumbullim përtej masës së lejuar dhe kur në supermarket shërbejnë pa vendosur maskat,” – u shpreh ministrja Manastirliu.

Çdo biznes që evidentohet duke mos zbatuar rregullat do të gjobitet, dhe nëse në një inspektim vijues vihet re se ende vijon të mos i respektojë ato, do t'i pezullohet aktiviteti. Manastirliu theksoi se “kjo është e vetmja zgjidhje që të frenohet përhapja e virusit”.

“Virusi vetvetiu të mbyll, duhet të marrim masa sa jemi në kohë dhe jemi në kohë për të përmirësuar sjelljen individuale jemi në kohë për të ndërgjegjësuar bizneset dhe të gjithë qytetarët se kjo luftë varet nga gjithsecili prej nesh, ne jemi në terren, task-forca anti-Covid është në terren, shteti është këtu për t’ju përgjigjur gjithë nevojave të qytetarëve, por nga ana tjetër kjo luftë kërkon angazhim personal,” – këmbënguli ministrja.

Euronews Albania bëri një vëzhgim për dy ditë me radhë në qendër të kryeqytetit për të parë sesa respektohet distancimi fizik dhe nëse qytetarët po zbatonin këshillat e Ministrisë së Shëndetësisë. Pamjet nuk kanë nevojë për koment.

Deri më tani raportohet se janë vendosur mbi 356 gjoba dhe janë realizuar mbi 97 mijë inspektime dhe monitorime për zbatimin e protokolleve të sigurisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat