Agjencitë turistike në krizë, vendasit kërkojnë t’u kthehen paratë, të huajt anulojnë rezervimet

Shqipëria

Agjencitë turistike në krizë, vendasit kërkojnë t’u kthehen paratë, të huajt anulojnë rezervimet

Më: 4 korrik 2020 Në ora: 22:33
Shqipëri

Ky sezon veror nuk ka nisur aspak siç agjencitë turistike e prisnin apo kishin menduar. Ato po përballen me anulime të rezervimeve.

“Klientët janë dyndur për të kërkuar pagesat e tyre duke thënë unë të njoh ty dhe tek ty e kam bërë pagesën dhe më duhet sepse nuk kam për vetën time me çfarë të jetoj, shërbimin nuk e mora kur doja dhe nuk mund të shkoj mbas një viti. I kemi shlyer dalëngadalë nga xhepi jonë,” – shprehet Erion Mane, agjent turistik.

“Ne nuk jemi favorizuar as nga qeveria që të kemi një mbështetje, por i patëm kthyer pagesat për të gjithë klientët,” – thotë Dorina Xhepa, agjente turistike.

Pandemia e Covid-19 ka detyruar edhe turistët e huaj, të anulojnë rezervimet që kishin bërë për të pushuar në bregdetin shqiptar.

“Për sa i përket grupeve të huaja, ne një vit më pas ishim në një bum turistësh ndërsa këtë vit jemi zero, kjo gjithçka shkak i pandemisë. Anulimet e para kanë nisur që më 20 shkurt, që kur Italia dha alarmin se Covid-i ka cenuar Italinë dhe do mbylleshin kufijtë. Turistët më të shumtë që kanë anuluar mbeten polakët, që duhet t’i prisnim që me 15 maj,” – tregon Mane.

“Rreth 20% nga të huajt kanë anuluar, më shumë Italia dhe Gjermania,” – thotë agjentja turistike Xhepa.

Agjencitë turistike tregojnë se shkak për këtë gjë janë bërë politikat e çdo vendi, të cilët po mundohen t’i mbajnë turistët brenda shtetit te tyre, një mënyrë kjo për të ruajtur ekonominë.

“Deri në këto momente mund të themi se jemi në 1% të sezonit që lamë pas,” – zbulon agjenti turistik Mane.

Nisma “Pusho Shqip”, nuk është preferuar nga një pjesë e qytetarëve, të cilët ende synojnë të pushojnë jashtë, shkak çmimet.

“Shqipëria mbetet destinacioni më i preferuar për kosovarët. Vendasit kanë preferuar Malin e Zi për pushime. Në Budva një paketë mund të jetë 75 euro për 5 ditë, të gjitha të përfshira, ndërsa në Shqipëri nuk ekziston ky koncept, por janë vetëm me mëngjes, kemi 79 euro e lart, turet 3 ditore. Bregdeti i jugut mbetet pak i shtrenjtë,” – shton më tej Dorina Xhepa.

Kjo mungesë klientele, ka bërë që rolet midis agjencive dhe hotelerive të ndërrohen.

“Hoteleritë në jug, na kanë thënë vëreni vetë çmimin se ju e dini çfarë mund të tërheqim. Më vjen keq kur më thonë, na thoni sesi do të shkojë sezoni që ta dimë sa staf të vëmë sepse jemi të mbyllur… fundi i kësaj do të jetë se kush do të rezistojë dhe kush do të falimentojë,” – analizon Mane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat