Basha me fermerët në Pogradec: Rama harxhoi 700 milionë euro për fasada

Shqipëria

Basha me fermerët në Pogradec: Rama harxhoi 700 milionë euro për fasada

Më: 5 korrik 2020 Në ora: 10:39
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike këtë të diel ka udhëtuar drejt Pogradecit ku është takuar me  fermerët e zonës. Kryedemokrati në këtë takim është shprehur se bujqësia në Pogradec po vuan sot pasojat e krizës së thellë ekonomike që ka prekur çdo qytetar, familje apo biznes në Shqipëri.

Basha përmes një postimi në Facebook, shkruan se nga kjo qeveri nuk pritet asgjë. Sipas tij Ramavirusi ka harxhuar 700 milionë euro për fasada, miliona euro të tjera për PPP dhe tendera korruptive, 1.2 miliardë euro do të shkojnë për rrugën fantazëm Milot-Fier, ndërsa fermerët, biznesi, qytetarët janë lënë në mëshirë të fatit. Bujqësia në Pogradec po vuan sot pasojat e krizës së thellë ekonomike që ka prekur çdo qytetar, familje apo biznes në Shqipëri.

Postimi i plotë

Fermerët pogradecarë, në këtë zonë me potenciale të jashtëzakonshme për zhvillimin e bujqësisë, ndanë me mua shqetësimin për rrënimin financiar që po kalojnë si shkak i pandemisë dhe braktisjes së shtetit.

Ata paguajnë çmimin më të lartë të naftës në rajon dhe kanë 7 vite që nuk marrin subvencione për prodhimin e tyre.

Ndërkohë që fermeri shqiptar është i zhytur në borxhe dhe krejt i vetëm në një treg të pabarabartë, fermeri kosovar dhe ai maqedonas përfiton çdo vit subvencione nga shteti dhe një sërë lehtësirash të tjera. RAMAVIRUSI ka harxhuar 700 milionë euro për fasada, miliona euro të tjera për PPP dhe tendera korruptive, 1.2 miliardë euro do të shkojnë për rrugën fantazëm Milot-Fier, ndërsa fermerët, biznesi, qytetarët janë lënë në mëshirë të fatit.

Sot askush nuk pret më asgjë nga kjo qeveri. Në 7 vite ai ka dëshmuar se ka bërë të kundërten e asaj që ka premtuar, duke e zhytur vendin në krizën më të thellë të 20 viteve të fundit dhe shndërruar në vendin më të korruptuar të Europës dhe ndër më të korruptuarit e botës.

Ne kemi në planin tonë për bujqësinë, një fond prej 50 milionë eurosh në vit për të investuar në infrastrukturën bujqësore. Ne do t'u japim direkt, në dorë subvencione fermerëve në bazë të prodhimit të tyre. Fondi i parashikuar për subvencionet është së paku 100 milionë euro në vit. Këtë në fakt e bëjnë dhe sot fqinjët tanë, Kosova dhe Maqedonia.

Nuk do të bëjmë mrekulli. Ne do të krijojmë lehtësirat e nevojshme për biznese prodhuese, të cilat do t'i përpunojnë produktet tuaja që të mos kalben, por edhe do të hapin vende pune dhe këtu kam parasysh, fabrika të prodhimeve të konservuara, lëngjeve të frutave dhe nënprodukteve të tjera.

Shqipëria nuk do të punojë më për 5 veta, por do të jetë vendi i shanseve dhe mundësive për të gjithë që duan të jetojnë dhe punojnë ndershmërisht.

Image
Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat