Ligji i ri për pasuritë/ 500 metra nga bregu i detit, pronë shtetërore - Bota Sot
Ligji i ri për pasuritë/ 500 metra nga bregu i detit, pronë shtetërore

Shqipëria

Ligji i ri për pasuritë/ 500 metra nga bregu i detit, pronë shtetërore

Më: 5 korrik 2020 Në ora: 20:08
Foto ilustrim

Qeveria do të ndryshojë ligjin “Për pasuritë e paluajtshme”, duke përcaktuar se pjesa e bregut të detit, pra në një distancë deri në 500 metër nga bregu është pronë shtetërore.

Një formë e “shtetëzimit” të ri që bëhet me anë të këtij ndryshimi të papërfillshëm në dukje, por që pritet të shkaktojë jo pak përplasje për çështjet e pronësi, si dhe objektet e ndërtuara përgjatë viteve, e shumë herë në mënyrë abuzive përgjatë bregdetit shqiptar, por për shkak të korrupsionit një pjesë e tyre i disponojnë me letra.

“Bregu i detit’ është sipërfaqja e tokës përgjatë detit, me gjerësi dhe kufi të përcaktuar sipas legjislacionit ‘Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore’, e cila është pronë publike e patjetërsueshme”.

Ky është përcaktimi i që do të bëhet në ligjin për pasuritë e paluajtshme, duke bërë edhe një shtesë të vogël, në nenin 3 ku përcaktohet se këto prona janë të shtetit.

“Në nenin 3, në germën “a” të pikës 1, pas shprehjes “vija bregdetare për të hyrë në tokë” shtohet shprehja “bregu i detit”, thuhet në amendamentin e dytë të kësaj nismeje.  Drafti që pritet të miratohet së shpejti nga qeveria parashikon që të paraprijë për konfliktet e hapura në gjykata për çështjet e pronësisë.

Sipas burimeve të Gazeta “Shqip” pranë Kadastrës, kjo nismë argumentohet kjo do ta përforcojë më tepër dhe për faktin se “ka një legjislacion të qartë në Shqipëri, i cili përcakton se pjesa e bregut të detit, që është përcaktuar në ligje, e që përbën rreth 500 metra nga bregu, pra rëra apo zhavorri, asnjëherë nuk kanë qenë prona të veçanta private. Edhe kjo vihet re si në shpërndarjen e tokave që kanë qenë pjesë e Kooperativave, apo edhe të Ndërmarrjeve Bujqësore. Toka Bujqësore ka qenë e ndarë me ligj në mënyrë të qartë, dhe është përcaktuar në vitin 1996”.

Pra  ky përcaktim i qartë në ligjin që bëhet fjalë, do t’i japë mundësi Agjencisë për një rregullim edhe një verifikim më të mirë të pronave në zonat e bregdetit. Bëhet fjalë për një administrim të asaj që cilësohet si domen publik në të gjithë të drejtën botërore. Kjo nismë ndërmerret pikërisht në momentin kur Agjencia e Kadastrës ka nisur punën për regjistrimin e AMTP-ve, apo të tokave të tjera në zonën e bregdetit të jugut të Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat