Vdekja e mjekut, reagon Meta - Bota Sot
Vdekja e mjekut, reagon Meta

Shqipëria

Vdekja e mjekut, reagon Meta

Më: 6 korrik 2020 Në ora: 10:56
Ilir Meta

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të mjekut të dytë në vendin tonë nga Covid-19. 

Duke i shprehur ngushëllimet familjes, Meta shkruan se nevojitet urgjentisht një strategji e re më efikase pas shtimit shqetësues të rasteve me Coronavirus.

Kreu i Shtetit në një postim në Facebook bën thirrje të fortë për rritjen e masave mbrojtëse për të gjithë ata që janë në vijën e parë të frontit. 

"Çdo neglizhencë e mëtejshme është jo vetëm e papranueshme, por edhe me kosto tepër të rënda për shëndetin dhe ekonominë," shkruan Meta.

Postimi i plotë

Ndarja nga jeta këtë mëngjes e Dr.Hysni Shkjaut, i cili për 40 vite u shërbeu me përkushtim dhe profesionalizëm qytetarëve të Pukës, është një tjetër humbje e madhe për sistemin tonë shëndetësor.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes së Dr.Shkjaut, kolegëve dhe mbarë komunitetit pukian!
Ritmet shqetësuese të shtimit të rasteve të qytetarëve të prekur nga COVID-19 dhe të numrit të viktimave, tregojnë se nevojitet urgjentisht një strategji e re, më efikase dhe transparente, për përballimin e pasojave të rënda të kësaj pandemie të rrezikshme, veçanërisht me afrimin e pikut të sezonit turistik.
Çdo neglizhencë e mëtejshme është jo vetëm e papranueshme, por edhe me kosto tepër të rënda për shëndetin dhe ekonominë.
Ndaj përsëris thirrjen e fortë për rëndësinë e rritjes së masave mbrojtëse për të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës, të cilët janë në vijën e parë të frontit, duke sakrifikuar, deri edhe me jetën e tyre, në mbrojtje të shëndetit të çdo qytetari.
Është tepër i domosdoshëm forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit midis autoriteteve qendrore dhe vendore, me qëllim izolimin e përhapjes së mëtejshme të këtyre rasteve dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për respektimin e të gjitha udhëzimeve të bëra publike.

Dr. Hysni Shkjau, 69-vjeçar, me 40 vite eksperiencë, nuk e kishte ndërprerë punën dhe vijonte të shërbente si mjek familje në qendrën shëndetësore Qafë-Mali në Bashkinë Fushë-Arrëz të Pukës. Luftonte prej disa ditësh me COVID19 në spitalin infektiv dhe gjendja e tij u rëndua si pasojë e vështirësisë në frymëmarrje dhe disa sëmundjeve bashkëshoqëruese. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime famljarëve, miqve dhe kolegëve.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat