Paralajmërimet e bujshme për “mbyllje karrierash” në kupolën e PS-së - Bota Sot
Paralajmërimet e bujshme për “mbyllje karrierash” në kupolën e PS-së

Shqipëria

Paralajmërimet e bujshme për “mbyllje karrierash” në kupolën e PS-së

Më: 6 korrik 2020 Në ora: 11:04
PS

Partitë politike i kanë ndezur me herët motorët për organizimin e strukturave dhe përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në fund të mandatit të dytë qeverisës, PS-ja po kërkon afrimin e figurave të reja për të synuar kështu edhe marrjen e një mandati të tretë qeverisës, proces që mund të shkaktojë edhe ndryshime të thella në lidershipin e saj.

Deklarata e Damian Gjiknurit dhënë për mediat e Vlorës kaloi pa rënë shumë në sy, por ajo kishte një frazë që kërkon vëmendje nga vëzhguesit e politikës.

 “PS ka organizim ndryshe nga disa parti të tjera të opozitë që mblidhen vetëm kur vjen fushata dhe thonë se na vjen pushteti me frymë. Fushata këtë radhë ka vështirësitë e saj se jemi në vitin e 8 të pushtetit, por në Vlorë kemi krenari se kemi bërë shumë gjëra. Unë dua të them, se pavarësisht se jam këtu, mund ta mbaroj edhe karrierën time politike, por asnjë qeveri tjetër nuk ka bërë më shumë se qeveria e Edi Ramës në Vlorë, prandaj kërkojmë të na mbështesin. Vlonjatët janë pragmatistë, kush e respekton njëherë ta kthen dy here”, tha Gjiknuri.

Një paralajmërim se ai, një drejtues i njohur politik mund të përfundojë karrierën politike, duket edhe sinjal që ky zhvillim mund të jetë një reaksion zinxhir që mund të përfshijë partinë në pushtet.

Ndërkaq, sekretari organizativ i PS-së, Arben Pëllumbi deklaroi dje se në fund të korrikut,  kjo parti do të zgjedhë nga e para komplet kupolën e saj.

Që i bie, Sekretari i Përgjithshëm, sekretarët, ndërkohë që tha se në muajin shtator priten edhe ndryshimet në qeveri.

Duke parë traditën e zhvillimeve në PS-në e Edi Ramës, deklarata të tilla thënë në publik, nuk lëshohen kështu me iniciativë personale, por përgjithësisht janë pjesë e koordinimit nga lart.

Ndaj qëndrimi i Pëllumbit për një “përfundim karriere” të numrit dy të PS-së, Taulant Balla, i cili zëvendësoi Gramoz Ruçin në këtë rol, duket se fsheh një strategji tjetër që ka në kokë Edi Rama.

E cila natyrisht që ka si logjikë mënyrën sesi PS do të prezantohet para publikut për mandatin e tretë.

Ku figurat e reja, duket se do të jenë “pasaporta elektorale” e Rilindjes. Po sa do të jetë i thellë ky ndryshim fytyrash në kupolën drejtuese? Pikërisht këtu qëndron enigma që pritet të marrë udhë në fund të këtij muaji.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat