Kajmaku shkoi në spitalin privat i shoqëruar nga avokati, po ruhet me policë

Shqipëria

Kajmaku shkoi në spitalin privat i shoqëruar nga avokati, po ruhet me policë

Më: 7 korrik 2020 Në ora: 14:43
Agim Kajmaku

Ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, i arrestuar mëngjesin e sotëm, pas muajve të tërë në kërkim, shkoi në spitalin privat ‘Continental’, pas problemeve shëndetësore që shfaqi, i shoqëruar me avokatin e tij.

Ai u shoqërua nga mbrojtësi Isuf Shehu, teksa u paraqit në gjendje të rëndë shëndetësore, për shkak të problemeve me zemrën dhe diabetin.

Teksa i është dhënë ndihma e parë, personeli i spitalit ka njoftuar policinë.

Uniformat blu i kanë komunikuar masën e arrestit në shtratin e spitalit, ku dhe po vijon të kurohet.

Aktualisht Kajmaku po ruhet nga forcat e policisë në dhomën e spitalit.

Ndalimi i tij u bë pasi Prokuroria e Tiranës ka dërguar urdhrin e ekzekutimit të datës 9 nëntor 2019, bazuar në vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Falsifikimi i dokumenteve zyrtare” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”.

Kujtojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shkarkoi më 1 nëntor 2019 Kajmakun, duke e gjetur mandatin e tij të pavlefshëm.

Ky shkarkim erdhi pasi u verifikua nga Prokuroria se Agim Kajmaku, ka falsifikuar formularin e Dekriminalizimit, duke fshehur arrestimin dhe hetimin në Greqi për veprën penale të përdorimit të parave false, si dhe duke fshehur identitetin e rremë të përdorur në Greqi për prindërit e tij.

Kajmaku rezulton i dënuar në shtetin grek dhe njihej me emrin Jorgo Toto. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat