Rreziqet e amnistisë fiskale, Preçi: Përfitues janë politikanët dhe oligarkët

Shqipëria

Rreziqet e amnistisë fiskale, Preçi: Përfitues janë politikanët dhe oligarkët

Më: 7 korrik 2020 Në ora: 16:41
Zef Preçi

Projektligjin për amnisitinë fiskale dhe penale për deklarimin e pasurive shihet me skepticizëm nga ekspertët, të cilët vlerësojnë se nisma do të sjellë injektimin e parave të pista në ekonomi. Në një intervistë për RTV Ora, eksperti Zef Preçi shprehet se pavarsisht se politikanët dhe nënpunësit civil janë të përjashtuar nga nisma, ata sërisht do të përfitojnë.

Qeveria ka publikuar projektligjin për amnisitinë fiskale dhe penale për deklarimin e pasurive, që parashikon të ligjërojë asetet e vëna ndër vite.

Por për ekspertin e ekonomisë Zef Preçi, nisma është e rrezikshme, dhe bie ndesh me 3 komponentë kryesor.

Zef Preçi: Mungon pajtueshmëria e asaj pjesë të popullsisë dhe biznesit që ka paguar dhe paguan taksat, mungon konsensusi i opozitës politike kur dihet që një tentativë krejt e ngjashme në mbarim të mandatit të zotit Berisha dështoi pikërisht për këtë mungesë konsensusi, mungon konsensusi i institucioneve financiare ndërkombëtare.

Nga nisma përjashtohen nënpunësit civil dhe politikanët, por Preçi shprehet se përfitues do të jetë pikërisht kjo kategori.

Zef Preçi: Do të ishte shumë naive, është si të vish nga Marsi të thuash që këta posedues pasurish të paligjshme, edhe pse janë të përjashtuar formalisht në aktin që po diskutojmë, ti kenë të regjistruara, të vendosura apo të përdorin emrat e tyre të përveçëm.Është qesharake të thuash që këta përjashtohen kur këta janë posedues të kësaj pasurie dhe ky akt ndërmerret në presionin e oligarkisë, e cila në bashkëjetesë me elitën politike drejtuese të vendit kërkon që në mbarim të mandatit të bëjë një legjitimim të kësaj pasurie.

Edhe ligjërimi i pasurive jashtë vendit, sipas ekspertit, mbart rreziqe të tjera.

Zef Preçi: Përfaqësuesit e mafies italiane që janë vendosur në pjesën jugore të Shqipërisë, në Tiranë apo vendet më fitimprurëse dhe aktivitetet më fitimprurëse të vendit, do të thotë që ata të blejnë një kartë për faljen e mëkateve dhe të jenë legjitim, të vazhdojnë të deformojnë më tej sistemin ekonomik.

Preçi vlerëson se edhe periudha e ndërmarrjes së nismës është e gabuar për shkak të krizës ekonomike që ka përfshirë biznesin, pasi sipas tij, amnistia do të dekurajonte tatimpaguesit e rregullt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat