PD-qeverisë: Çdo veprim i njëanshëm do të përbënte prishje të marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit

Shqipëria

PD-qeverisë: Çdo veprim i njëanshëm do të përbënte prishje të marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit

Më: 9 korrik 2020 Në ora: 14:52
PD

Ka reaguar PD në lidhje me deklaratat e kryeministrit Rama për një tryezë tre palëshe për reformën zgjedhore.

“Reforma kushtetuese, ku përfshihet edhe çdo ndryshim i mundshëm i sistemit zgjedhor nuk mund të jetë një pazar i fundit të korrikut”, thotë PD në deklaratë.

Më tej në deklaratë PD thekson se nuk është kundër diskutimit për rishikimin e sistemit zgjedhor, por kjo kërkon një reformim të plotë të sistemit kushtetues.

“Hapja në këtë moment, e diskutimit për sistemin zgjedhor është vetëm alibi e Edi Ramës për të vonuar kodifikimin në parlament të dakortësisë së 5 Qershorit”, thuhet në deklaratë.

Reagimi i PD

Palët në Këshillin Politik kanë firmosur marrëveshjen për Reformën Zgjedhore më 5 Qershor, me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e SHBA dhe BE.

Partia Demokratike nuk është kundër diskutimit për rishikimin e sistemit zgjedhor, por kjo kërkon një reformim të plotë të sistemit kushtetues për të cilën PD ka një propozim konkret. Megjithatë, kjo nuk mund të ndodhë në kushtet e kriminalizimit të parlamentit dhe të qeverisjes, në kushtet e blerjes së votës nga pushteti dhe mosndëshkimit të këtij krimi nga drejtësia. Reforma kushtetuese, ku përfshihet edhe çdo ndryshim i mundshëm i sistemit zgjedhor nuk mund të jetë një pazar i fundit të korrikut. Ky proces duhet të jetë transparent dhe vendimmarrja duhet t’u përkasë qytetarëve, përmes referendumit popullor. OSBE/ODIHR ka konfirmuar se ndryshime të tilla nuk mund të ndodhin një vit para zgjedhjeve.

Ndaj, hapja në këtë moment, e diskutimit për sistemin zgjedhor është vetëm alibi e Edi Ramës për të vonuar kodifikimin në parlament të dakortësisë së 5 Qershorit, që është një kërkesë e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, si dhe 1 nga 15 kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit me BE.

Çdo veprim i njëanshëm në këtë drejtim do të përbënte prishje të marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit, me pasoja për vendin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat