Ambasada Gjermane: Kush udhëton nga Shqipëria, 14 ditë karantinë - Bota Sot
Ambasada Gjermane: Kush udhëton nga Shqipëria, 14 ditë karantinë

Shqipëria

Ambasada Gjermane: Kush udhëton nga Shqipëria, 14 ditë karantinë

Më: 10 korrik 2020 Në ora: 13:47
Ilustrim

Ambasada Gjermane ka dhënë një paralajmërim për udhëtime në Shqipëri-Gjermani në lidhje me rregullat e karantinimit.

Ambasada bën me dije se personat që duan të udhëtojnë drejt Gjermanisë duhet të kenë parasysh se Shqipëria kategorizohet si vend me rrezikshmëri për shkak të situatës me Covid-19.

Çdokush që do të shkojë në Gjermani nga Shqipëria është detyruar që menjëherë pas kthimit të lajmërojë institucionin kompetent shëndetësor në vendin e banimit/qëndrimit në Gjermani dhe t’i nënshtrohet një vetë-izolimi/karantine shtëpiake prej 14 ditësh.

Ambasada thekson se nëse vendosni të udhëtoni jashtë vendit, duhet mbajtur parasysh që ambasadat dhe konsullatat gjermane jashtë vendit mund t’ju ndihmojnë vetëm në një masë të kufizuar gjatë kthimit për në Gjermani, në qoftë se gjatë qëndrimit jashtë vendit vendosen kufizime të reja të udhëtimit dhe/ose masa për kufizime të jetës publike.

Njoftimi i plotë:

Nëse këtë verë keni planifikuar një udhëtim nga Gjermania për në Shqipëri, ju lutemi që të merrni në konsideratë sa vijon: Ministria e Jashtme Federale vazhdon të paralajmërojë mbi të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme (përfshirë arsye pushimi, pushime në vendlindje, vizita familjare etj.) për në Shqipëri. Kjo vlen deri më 31 gusht 2020. Shqipëria kategorizohet aktualisht nga institucionet kompetente shëndetësore gjermane si rajon me rrezikshmëri për shkak të situatës epidemiologjike të Covid-19.

Nëse vendosni të udhëtoni jashtë vendit, përkundër paralajmërimit për udhëtim, ju lutemi të keni parasysh që ambasadat dhe konsulatat gjermane jashtë vendit mund t’ju ndihmojnë vetëm në një masë të kufizuar gjatë kthimit për në Gjermani, në qoftë se gjatë qëndrimit jashtë vendit vendosen kufizime të reja të udhëtimit dhe/ose masa për kufizime të jetës publike. Ju lutemi të merrni në konsideratë që në Shqipëri nuk garantohet një kujdes shëndetësor sipas standardeve gjermane, ndër të tjera ekzistojnë mundësi të kufizuara të testimit për Covid-19.

Në rast kthimi, karantine 14-ditore: Nëse jeni duke udhëtuar nga Shqipëria për në Gjermani – me rrugë ajrore apo tokësore me autobus ose automjete private – jeni të detyruar që menjëherë pas kthimit të lajmëroni insitucionin kompetent shëndetësor në vendin tuaj të banimit/qëndrimit në Gjermani dhe t’i nënshtroheni një vetë-izolimi/karantine shtëpiake prej 14 ditësh. Detyrimi për karantinë shtëpiake/vetë-izolim vlen për të gjithë nënshtetasit (edhe për ata gjermanë) dhe pavarësisht qëllimit të udhëtimit.

Gjatë kohës së karantinimit në shtëpi ju keni të drejtë të dilni nga banesa vetëm në konsultim dhe me leje të institucionit vendor shëndetësor. Një shkelje e këtij detyrimi mund të ketë për pasojë gjoba të larta. Nëse dhe eventualisht ku është e mundur të bëhet një test për Covid-19 pas hyrjes në Gjermani, i cili do të shkurtonte kohën e izolimit, edhe për këtë mund të informoheni tek institucioni kompetent shëndetësor në vendin tuaj të banimit/qëndrimit. Në dijeninë e Ambasadës Gjermane, në Shqipëri aktualisht nuk ka laboratore, të cilët kryejnë në varësi të dëshirës teste për Covid-19.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat