Bardhi përdor fjalimet e Gjiknurit për të replikuar me Ramën rreth çështjes së listave të hapura

Shqipëria

Bardhi përdor fjalimet e Gjiknurit për të replikuar me Ramën rreth çështjes së listave të hapura

Më: 11 korrik 2020 Në ora: 16:36
Bardhi dhe Rama

Partia Demokratike iu përgjigj të shtunën komenteve të kryeministrit Edi Rama rreth çështjes së listave të hapura duke përmbledhur fjalimet e mbajtura për këtë çështje të përfaqësuesit socialist të reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, postoi në Facebook një videopërmbledhje të fjalimeve të mbajtura nga Gjiknuri në parlament dhe emisione televizive në të cilat thoshte se “PS-ja nuk ka qenë partizane për listat e hapura” dhe se hapja e listave do të degradonte në “korrupsion të mirëfilltë zgjedhor” duke futur në parlament “njerëz problematik”.

Videon Bardhi e shoqëroi me mbishkrimin se me përkrahjen e hapjes së listave të kandidatëve kryeministri Rama “nuk ka hallin e qytetarëve” por të “oligarkëve dhe kriminelëve që e sollën dhe e mbajtën në pushtet”. Sekretari i PD-së theksoi se kryeministri është “frikacak dhe i tmerruar nga zgjedhjet” kjo me nënkuptimin se atij i leverdis të ndalojë koalicionet parazgjedhore.

Postimi i Sekretarit të PD-së ishte përgjigje ndaj një komenti të mëhershëm gjatë së shtunës të kryeministrit Rama. Ky pati shkruar në Twitter se PD-ja duhet “t’i lërë sharjet dhe kërcënimet” se "kinse u prish marrëveshja zgjedhore".

“Ne s’donim dhe s’duam administratë zgjedhore partiake, prandaj mos na provokoni se, s’ua kemi borxh as ne, as populli jo e jo, pasi morët gjithçka deshët! Peng Kuvendin e zgjedhësit, të cilëve do t’u japim mundësinë të votojnë për deputetin e jo vetëm për partinë, nuk i merrni dot! Po mos na nxisni kundër asaj marrëveshjeje që e bëmë për ju, po na lini ta votojmë...” – shkroi Rama në Twitter.

Të premten marrëdhëniet politike mes opozitës dhe mazhorancës u përshkallëzuan sërish pasi kryeministri Rama bëri publik qëndrimin pro propozimit për ndryshime kushtetuese që i hapin rrugë listave të hapura dhe ndalimit të koalicioneve parazgjedhore.

Propozimi në fjalë është bërë nga deputetë të opozitës parlamentare, të cilët kanë kushtëzuar votën e tyre ndaj reformës zgjedhore me ndryshime të sistemit.

Reforma zgjedhore u diskutua prej janarit të këtij viti jashtë parlamentit me një tryezë të përbashkët me partitë kryesore të vendit sipas një marrëveshje të dakordësuar se ajo që do të arrihej nga kjo tryezë do të miratohej pa ndryshime në parlament.

Marrëveshja për reformën u arrit më pas më 5 qershor, por ajo nuk është miratuar në parlament, ku kërkohen minimalisht 84 vota.

Zyrtarisht Partia Socialiste ka 75 deputetë, ndërsa në parlamentin me vetëm 122 deputetë, 3 grupimet opozitare, të cilat kanë kundërshti ndaj marrëveshjes së 5 qershorit kanë 31 vota.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat