Qeveria jep 25 milionë dollarë grante për familjet që pësuan dëme nga tërmeti i 26 nëntorit - Bota Sot
Qeveria jep 25 milionë dollarë grante për familjet që pësuan dëme nga tërmeti i 26 nëntorit

Shqipëria

Qeveria jep 25 milionë dollarë grante për familjet që pësuan dëme nga tërmeti i 26 nëntorit

Më: 11 korrik 2020 Në ora: 17:14
Edi Rama

Qeveria zotohet të ndihmojë me grante familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 për të riparuar vetë dëmet e shtëpive të tyre. Procesi i penguar më parë për shkak të mbylljes prej pandemisë së COVID-19 ka nisur fillimisht në Durrës, ku pritet të përfitojnë rreth 7,500 familje.

Gjatë inspektimit të këtij procesi në Durrës, kryeministri Edi Rama theksoi të shtunën se për këtë proces riparimesh të banesave të qytetarëve qeveria ka vënë në dispozicion rreth 25 milionë dollarë.

“Pengesa që krijoi periudha e mbylljes ka qenë e konsiderueshme, megjithatë po e kapim pak nga pak kohën e humbur. Janë 25 milionë dollarë që do shpërndahen në dorë për të gjitha familjet që kanë të domosdoshme të përmbyllin riparimet në banesat, ku dëmet janë të konsiderueshme,” u shpreh Kryeministri.

Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, tha se deri më tani kjo Bashki ka lidhur 3,270 kontrata dhe ka likuiduar familjet e para përfituese me një total prej rreth 480 mijë euro (60 milionë lekë).

“Kemi bërë likujdimin familjeve të para përfituese, rreth 60 milionë lekë. Kemi marrë gjithashtu fondin për riparimin e ambienteve të përbashkëta për rreth 790 godina,” tha Emiriana Sako, e cila mori drejtimin e Bashkisë gjatë muajit prill pas dorëheqjes së Zhuljen Varfajt.

Varfaj u komandua në detyrë nga Këshilli Bashkiak pas dorëheqjes së kryetares së votuar në zgjedhjet e 30 qershorit Valbona Sako, kjo u largua pas disa komenteve jo-etike në media në lidhje me trajtimin e familjeve të dëmtuara nga tërmeti.

Në Durrës parashikohen të paktën 4 zona rindërtimi, ku një prej tyre është dhe Spitalla, plani i së cilës është miratuar së fundmi.

Mirëpo siç tha kryeministri Rama, përveç ndërtesave në këto zona, do të ketë punime individuale edhe në pika të tjera.

“Fillimi i vjeshtës do jetë dhe fillimi i hapjes së dyerve për banesat individuale. Për banesat kolektive do duhet pak më shumë durim nga të gjithë, por ajo që të gjithë duhet të dinë është se ne nuk po i lëmë asgjë mangët këtij procesi,” – deklaroi Kryeministri për sa i përket planit të përgjithshëm të rindërtimit, plan që parashikon të shkojë në rreth 1 miliardë dollarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat