Rudina Hajdari: Se sa do të votohem, kjo do të shihet në zgjedhjet e ardhshme - Bota Sot
Rudina Hajdari: Se sa do të votohem, kjo do të shihet në zgjedhjet e ardhshme

Shqipëria

Rudina Hajdari: Se sa do të votohem, kjo do të shihet në zgjedhjet e ardhshme

Më: 15 korrik 2020 Në ora: 20:38
Rudina Hajdari

Rudina Hajdari thotë se, marrëveshja mes mazhorancës dhe opozitës jashtëparlamentare nuk mund të të sjellte reformë të plotë zgjedhore ndaj dhe beteja e opozitës parlamentare pas paktit në Këshillin Politik, u zhvendos në Parlament.

“Për mua ajo marrëveshje ishte e paplotë dhe për këtë arsye duhet të shtonim elementë të tjerë për ta bërë më të pranueshëm dhe më të besueshëm dhe më cilësor”, tha znj. Hajdari.

E pyetur nëse është kundër koalicioneve parazgjedhore, thotë se grupi parlamentar ku ajo bën pjesë nuk ka bërë një kërkesë të tillë. Por, ajo theksoi se çdo parti duhet të shkojë para elektoratit dhe të shijojë se sa peshë ka dhe të mos fshihet pas asnjë partie tjetër.

“Ç’të keqe ka që një lëvizje e re nesër të penalizohet nga kjo gjë. Pra, nëse një lëvizje e re nuk dëshiron të bëhet pjesë e partive të vjetra, nuk ka pse të mos ketë kushtet për të parë nëse ka mbështetje”, tha znj. Hajdari.

E pyetur nëse do të paraqitet në zgjedhjet e ardhshme me parti të re, deputetja nuk dha një përgjigje të prerë, por la të kuptohet se do të jetë kandidate.

“Se sa do të votohem dhe se sa mundësi do të kem të zgjidhem kjo do të shikohet në zgjedhjet e ardhshme”, tha ajo.

Ajo shtoi se, duhen krijuar kushtet që të kemi listë të hapur dhe të kemi realisht konkurrencë. Znj. Hajdari bëri të ditur se, reforma zgjedhore pritet të finalizohet brenda muajit korrik.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat