Paralajmërim i Brukselit për ndryshimet kushtetuese në Shqipëri

Shqipëria

Paralajmërim i Brukselit për ndryshimet kushtetuese në Shqipëri

Më: 16 korrik 2020 Në ora: 23:27
ilustrim

Zëdhënësja e Komisionit europian Ana Pisonero tha sot se Marrëveshja e 5 qershorit për reformën zgjedhore në Shqipëri është thelbësore dhe se reforma si një kusht për nisjen e bisedimeve nuk duhet të rrezikohet nga çfarëdo ndryshimi tjetër ligjor.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama e mbrojti nismën e ndërmarrë, duke deklaruar se parlamenti është sovran në vendimet e tij.

Por për presidentin Ilir Meta, po ndërmerret një akt i njëanshëm dhe çdo ndryshom kushtetutes në këto rethana nuk do të njihet prej tij.

Një ditë pasi ambasadori i Bashkimit europian Luigi Soreca u shpreh se Marrëveshja e 5 qershorit duhet të miratohet sa më shpejt nga parlamenti dhe se çdo ndryshim tjetër duhet të diskutohet me të njejtën frymë gjithëpërfshirëse, të enjten për këtë çështje foli dhe zëdhënësja e Komisionit europian, Ana Pisonero.

“Eshtë themelore që marrëveshja e 5 qershorit për reformën zgjedhore të ruhet, duke parë nevojën e përmbushjes së rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, një kusht i vendosur nga Këshilli Europian, përpara konferencës së parë ndërqeveritare. Ndryshimet e tjera të mundshme nuk duhet të vënë në rrezik këtë objektiv parësor”, shkruajti ajo në një postim në Twitter.

Ndërsa duket i vendosur për t’i shkuar deri në fund nismës që i hap rrugë listave të hapura dhe shmang koalicionet parazgjedhore në formën që janë aktualisht, nga foltorja e parlamentit kryeministri Edi Rama, pati një përgjigje për partnerët ndërkombëtarë që u angazhuan për arritjen e Marrëveshjes së 5 qershorit:

"Parlamenti i Shqipërisë, është sovran. Dhe në parlamentin e Shqipërisë do të vendoset siç mendojnë përfaqësuesit e popullit shqiptarë në këtë sallë. Dhe do të vendoset në respekt të Marrëveshjes së 5 qershorit nga njëra anë, dhe në respekt të më shumë se 80 përqind të shqiptarëve nga ana tjetër, që duan të kenë të drejtën të zgjedhin edhe deputetin e jo vetëm partinë. Dhe këto të dyja janë një fakt me të cilin të gjithë miqtë dhe partnerët tanë duhet të jetojnë”.

Por pasdite tre deputetë me peshë sa i përket Shqipërisë në parlamentin europian, Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme David McAllister, Raportuesi i përhershëm për Shqipërinë Isabel Santos dhe Kryetari i Delegacionit të Parlamentit për Shqipërinë Manolis Kefalogiannis, kërkuan përmes një deklarate që “parlamenti i Shqipërisë të miratojë me shpejtësi Marrëveshjen e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore”.

Ata patën një mesazh të qartë për pasojat që vendi mund të ketë në procesin e integrimit, ndërsa pret hapjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim. “Ne presim që shumica parlamentare të miratojë ndryshimet e nevojshme pa dëmtuar konsensusin e arritur midis Qeverisë dhe Opozitës më 5 qershor. Çdo ndryshim i Marrëveshjes, pa arritur një konsensus me të gjitha partitë politike mund të rrezikojë thirrjen e Konferencës së parë për negociatat e anëtarësimit, dhe për këtë arsye të ngadalësojë procesin e integrimit evropian”.

Eurodeputetët satësojnë se “çdo vend është i lirë të vendosë dhe të përmirësojë sistemin e tij zgjedhor sipas kontekstit kombëtar dhe konsensusit. Sidoqoftë – nënvizon deklarata - praktikat më të mira ndërkombëtare rekomandojnë që çdo ndryshim në sistemin zgjedhor duhet të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente duke filluar të paktën një vit para zgjedhjeve të ardhshme të planifikuara. Ne besojmë se Shqipëria do t'i respektojë këto rekomandime dhe do të punojë më tej drejt arritjes së rezultateve të qëndrueshme në fushat kryesore të reformës”, theksojnë eurodeputetët.

Nga ana tjetër, për presidentin Ilir Meta, "nisma e shumicës e prish në mënyrë të njëanshme marrëveshjen". Ai nënvizoi se parlamenti aktual nuk ka legjitimitetin për të bërë ndryshime kushtetuese, ndërsa shtoi se vetë nisma është ndërmarrë në shkelje të Kushtetutës, në periudhën e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, përgjatë së cilës nuk lejohen veprime për ndryshime të ligjit themeltar të shtetit.

Po ashtu sipas tij, propozimet e bëra bien ndesh dhe me kushtetutën, pasi neni 96 i saj, i cili nuk është prekur, njeh koalicionet parazgjedhore. Sipas presidentit Meta, qëndrimi i njëanshëm i shumicës, thellon konfliktin politik dhe institucional.

“Si garant i Kushtetutës dhe unitetit të popullit, u bëj thirrje të gjithëve për përgjegjshmëri dhe reflektim, dhe njëkohësisht do të ushtroj të gjitha përgjegjësitë e mia kushtetutese për të frenuar, për të paralizuar dhe njëkohësisht për të zhvlerësuar një veprim të tillë të paprecedent në 3 dekada pluralizëm. Një akt i tillë i njëanshëm nuk do të njihet nga Institucioni i Presidentit të Republikës”, deklaroi zoti Meta.

Nga ana e saj Partia Demokratike tha se deklarimet e kryeministrit Rama se Marrëveshja e 5 qershorit nuk do të preken janë të gënjeshtra, pasi të paktën në dy pika të saj flitet për koalicionet parazgjedhore, ndërsa ndërhyrjet në kushtetutë i shmangin ato, shpjegoi sërish sot Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat