Parlamenti Europian rikthen deklaratën për reformën zgjedhore: Shqipëria rrezikon shumë!

Shqipëria

Parlamenti Europian rikthen deklaratën për reformën zgjedhore: Shqipëria rrezikon shumë!

Më: 17 korrik 2020 Në ora: 11:45
Ilustrim

Parlamenti Europian ka ripublikuar sërish mëngjesin e sotëm deklaratën e përbashkët të një dite më parë të tre eurodeputetëve David McAllister, Isabel Santos dhe Manolis Kefalogiannis, të cilët i bënin  thirrje Parlamentit  shqiptar të miratojë sa më shpejt, pa dëmtuar dakordësinë  e 5 qershorit për reformën zgjedhore, pasi rrezikohen negociatat.

Në deklaratën e publikuar thuhet se çdo vend është i lirë që të bëjë ndryshime në sistemin zgjedhor por kjo duhet bërë në konsensus të plotë me të gjithë faktorët dhe aktorët politikë, si dhe të paktën një vit përpara zgjedhjeve.

Më herët, edhe Komisioni Europian kërkoi përmes një zëdhënëseje që marrëveshja të mos rrezikohej nga ndryshime të tjera ligjore, duke theksuar rëndësinë e votimit pa ndryshime të draftit të dakordësuar ndërmjet palëve në Këshillin Politik.

Pak ditë më parë i njëjti apel u adresua nga Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi dhe nga nënkryetari i grupit të CDU/CSU-së në parlamentin gjerman, Johann Wadephul.

Deklarata e plotë në faqen e Parlamentit Europian:

Shqipëria rrezikon shumë, paralajmërojnë europarlamentarët kryesorë. Në një deklaratë të përbashkët tre Europarlamentarët dërgojnë një mesazh të fortë: Nëse Shqipëria dëshiron të hapë negociatat, duhet të përmbushë angazhimet.

• Zbatimi i plotë i marrëveshjes së 5 qershorit për reformën zgjedhore, e cila është cilësuar  si shumë e nevojshme  për fillimin e negociatave

• Qeveria dhe opozita duhet të ruajnë konsensusin ndër-partiak

Në një deklaratë të përbashkët, Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme David McAllister (PPE, Gjermani), Raportuesi i përhershëm për Shqipërinë Isabel Santos (Socialistët Europianë, Portugali) dhe Kryetari i Delegacionit të Parlamentit për Shqipërinë Manolis Kefalogiannis (PPE, Greqi) i kërkuan  Parlamentit  shqiptar të miratojë sa më shpejt Marrëveshjen e 5 qershorit për Reformën Zgjedhore.

Ne presim që shumica parlamentare të miratojë ndryshimet e nevojshme pa dëmtuar konsensusin e arritur midis Qeverisë dhe Opozitës më 5 qershor. Çdo modifikim i Marrëveshjes pa arritur një konsensus me të gjitha partitë politike, mund të rrezikojë realizimin  e Konferencës së Parë për negociatat e anëtarësimit, dhe për rrjedhojë të ngadalësojë procesin e integrimit europian.

Çdo vend është i lirë të vendosë dhe përmirësojë sistemin e tij zgjedhor sipas kontekstit kombëtar dhe konsensusit. Sidoqoftë, praktikat më të mira ndërkombëtare rekomandojnë që çdo ndryshim në sistemin zgjedhor duhet të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente, duke filluar të paktën një vit para zgjedhjeve të ardhshme të planifikuara. Ne besojmë se Shqipëria do t’i respektojë këto rekomandime dhe do të punojë më tej drejt arritjes së rezultateve të qëndrueshme në fushat kryesore të reformës.

Parlamenti Evropian është i përkushtuar të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit evropian dhe është i gatshëm të punojë me Parlamentin shqiptar në lehtësimin e dialogut dhe ndërtimin e konsensusit mbi reformat thelbësore në fushat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe përgjegjshmërisë (llogaridhënies) së institucioneve që janë të domosdoshme për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Historiku

Shqipëria paraqiti kërkesën për anëtarësim në  vitin 2009 dhe iu dha statusi i kandidatit në vitin 2014. Këshilli vendosi të hapë negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut më 25 mars 2020, pas propozimeve të Komisionit për një metodologji të rishikuar për zgjerimit.

Në qershor të vitit 2020, Komisioni paraqiti draft-projektin për bisedimet që, pasi të finalizohen, do të përdoren për të negociuar anëtarësimet në BE të dy vendeve të Ballkanit. Shtetet Anëtare të BE-së duhet të miratojnë këto dokumente dhe Presidenca e Këshillit do t’i paraqesë ato në fillimin e negociatave të pranimit. Publikimi i raporteve të zgjerimit të Komisionit Evropian për vitin 2020 është shtyrë deri në vjeshtë për shkak të pandemisë COVID-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat