Takimi i Yuri Kim dhe Luigi Soreca-s me Ramën, ja çfarë kërkuan ambasadorët

Shqipëria

Takimi i Yuri Kim dhe Luigi Soreca-s me Ramën, ja çfarë kërkuan ambasadorët

Më: 27 korrik 2020 Në ora: 12:50
Yuri Kim

Kryeministri Edi Rama priti sot në zyrë ambasadoren amerikane, Yuri Kim dhe ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca. Zyrtarisht, ambasada amerikane njofton se takimi mes tyre zgjati pak më shumë se një orë dhe se fokusi kryesor i diskutimit ishte ‘marrëveshja e 5 qershorit’.

“Ambasadorja Yuri Kim dhe ambasadori Luigi Soreca u takuan me kryeministrin sot për pak më shumë se 1 orë. Ambasadorja Kim e falenderoi kryeministrin për udhëheqësinë e tij në sigurimin e miratimit të marrëveshjes së 5 qershorit dhe mirëpriti vazhdimin e diskutimeve të ndërsjella në Këshillin Politik në lidhje me masat shtesë. Siç kemi thënë publikisht, ambasadorja theksoi rëndësinë që të gjitha palët të marrin pjesë në mirëbesim, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente”, njoftoi ambasada.

Në këtë linje ishte edhe delegacioni i BE në Tiranë. “Ambasadori u takua me kryeministrin së bashku me ambasadoren Kim për një orë këtë mëngjes. Ai falenderoi kryeministrin për angazhimin e tij në miratimin e marrëveshjes së 5 Qershorit dhe e ftoi atë që të punojë me shpejtësi për zbatimin e saj. Në të njëjtën kohë, ai mirëpriti vazhdimin e diskutimeve në Këshillin Politik në lidhje me ndryshimet shtesë, për të respektuar frymën dhe rezultatet e 5 qershorit. Gjithëpërfshirja është thelbësore kur bëhet fjalë për çështjet elektorale”,  thuhet në reagimin e BE.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat