Miratohet Ligji për Shtetësinë – Shqipëria mundëson shtetësinë me origjinë

Shqipëria

Miratohet Ligji për Shtetësinë – Shqipëria mundëson shtetësinë me origjinë

Më: 29 korrik 2020 Në ora: 22:47
Pasaporta shqiptare

Shqipëria tashmë ka një Ligj për Shtetësinë. 

Parlamenti miratoi të mërkurën në mbrëmje projektligjin e paraqitur nga Qeveria. Risitë e tij u prezantuan në sallën e Kuvendit nga kreu i Komisionit të Sigurisë, Ermonela Felaj, sipas së cilës ligji aktual nuk ofron zgjidhje për rastet e fitimit të shtetësisë në bazë të origjinës, por edhe zgjidh problematikën e Regjistrimit në Gjendjen Civile të personave mbi 18 vjeç, të cilët kanë lindur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë nga prindër shqiptarë apo qoftë edhe njëri prind shqiptar.

Me këtë problem përballen më së shumti familjet shqiptare që jetojnë në Greqi. Ligji i ri parashikon lehtësi edhe për fitimin e shtetësisë shqiptare nga të huaj, apo ata që kanë humbur e duan ta rimarrin. Ndërsa zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, gjatë prezantimit u ndal tek nevoja e sjelljes së ndryshimeve ligjore dhe problematikave të hasura ndër vite në këtë fushë, çka çuan në hartimin e një projektligji të ri, që përcakton parimet dhe rregullat për fitimin, rifitimin dhe humbjen e shtetësisë shqiptare.

Projekt-akti u jep zgjidhje një sërë problematikash të hasura ndër vite dhe është harmonizuar me legjislacionin ndërkombëtar të ratifikuar, si dhe me kuadrin ligjor kombëtar në fuqi. Edhe znj.Voda përmendi risitë e këtij projekt-akti, mes të cilave zgjerimin e mënyrave të fitimit të shtetësisë, duke parashikuar edhe fitimin e shtetësisë me origjinë, duke u dhënë mundësinë shqiptarëve të Kosovës dhe pjesës tjetër të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, si pjesë që ka emigruar në mënyrë të hershme, por dhe të pjesës që ka emigruar pas ndryshimeve që ndodhën në Shqipëri, pas viteve ‘90, e që dëshirojnë të kenë një lidhje të qëndrueshme juridike me shtetin shqiptar, por që njëkohësisht kanë mbajtur e ruajtur lidhje gjuhësore, kulturore e të traditës me Shqipërinë. Projektligji ka përcaktuar kritere më të qarta për fitimin e shtetësisë shqiptare, të cilat ndryshojnë në varësi të mënyrës së fitimit e të kategorisë së të huajve, duke përcaktuar kritere të ndryshme, p.sh. për refugjatët apo personat në mbrojtje plotësuese.

Zëvendësministrja Voda u shpreh më tej se projektligji parashikon dhe rregullon rastet e veçanta të fitimit të shtetësisë në rastet kur Republika e Shqipërisë ka një interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë dhe sportit. Ndryshimet e reja u kundërshtuan nga deputetët e opozitës parlamentare, sipas të cilëve duhet të ketë favorizime më të shumta për shqiptarët që jetojnë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, apo Mal të Zi. Relatorja e projektligjit, deputetja Klotilda Bushka vlerësoi se ka ardhur koha për një ligj të ri për shtetësinë, pasi ligji në fuqi është miratuar në vitin 1998. Projektligji i ri sipas relatores do të mund të përshtatet me nevojat e kohës, por dhe për të adresuar problematikat që kanë lindur në praktikë. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, projektligji në fjalë u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi. Neni nr.6 i projektligjit “për shtetësinë”, të miratuar tashmë nga qeveria shqiptare ka rëndësi themelore, sepse ia hap rrugën fitimit të shtetësisë të të gjithë qytetarëve me kombësi shqiptare, përfshirë ata në Kosovë dhe Maqedoni e më tej. Në të njëjtin draft në dispozitat kalimtare përcaktohet se ligji në fuqi, ai me nr.8389, datë 5.8.1998, “Për shtetësinë shqiptare”, i ndryshuar, vendimi nr.554, datë 3.7.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave për njohjen ose fitimin e shtetësisë shqiptare nga personat me origjinë shqiptare, me përjashtim të shtetasve të Republikës së Kosovës”, dhe çdo dispozitë tjetër në kundërshtim me këtë ligj shfuqizohet. Në korrik të vitit 2013, Qeveria e Shqipërisë e drejtuar nga kryeministri në largim, Sali Berisha, ka miratuar vendimin, i cili përcaktonte procedurat për dhënien ose fitimin e shtetësisë shqiptare për të gjithë qytetarët me origjinë shqiptare që jetojnë me dokumente të rregullta apo kanë marrë shtetësi në një nga vendet e zonës Shengen apo vendet me të cilat Bashkimi Evropian aplikon regjimin e lëvizjes së lirë pa viza, si SHBA, Kanadaja etj. Nga rregulli i përgjithshëm u bë një përjashtim, për shtetasit nga Kosova . Argumentimi, sipas ish-kryeministrit Sali Berisha, ka qenë se Kosova është në proces me Bashkimin Evropian për liberalizimin e vizave. Ndërkohë që Berisha ka kërkuar mirëkuptim nga shtetasit e Kosovës për lëndimin që mund t’ju shkaktojë ky vendim që tashmë është shfuqizuar. Aktualisht, praktika për dhënien e shtetësisë shqiptare është në dorë të presidentit të Republikës së Shqipërisë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga homologu i tij nga Shqipëria, Ilir Meta, që t’iu mundësohet qytetarëve të Kosovës, që përmes procedurave të përshpejtuara, të aplikojnë për shtetësi të Shqipërisë, duke pasur parasysh që heqja e regjimit të vizave për Kosovën po zvarritet pambarimisht dhe është e pasigurt. Meta i ishte përgjigjur se “nuk është zgjidhje që të merret shtetësia e Shqipërisë”, por që Kosova të tejkalojë problemin e izolimit. Megjithatë, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, pas marrjes së mandatit të tij ua ka dhënë shtetësinë e Shqipërisë edhe disa prej figurave të jetës politike, personaliteteve që bartin funksione të larta në Kosovë, si dhe shumë figurave të jetës artistike e sportive në Kosovë. Njëjtë me Ilir Metën ka vepruar edhe paraardhësi i tij, Bujar Nishani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat