Rindizet konflikti Rama-Meta, Presidenti: Asnjë bandë pengmarrëse nuk i shpëton forcës së qytetarëve

Shqipëria

Rindizet konflikti Rama-Meta, Presidenti: Asnjë bandë pengmarrëse nuk i shpëton forcës së qytetarëve

Më: 30 korrik 2020 Në ora: 16:22
Edi Rama

Ndryshimet Kushtetuese kanë rindezur sërish konfliktin mes Presidentit Ilir Meta dhe Kryeministrit Edi Rama.

Miratimin në Parlament për hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore, kreu i shtetit e quan një veprim  antikushtetues nga një Kuvend i cunguar. Ndërsa paraljamëron kreun e mazhorancës për përballjen me popullin.

Meta: Ndryshimi i dhunshëm i Kushtetutës asgjesoi marrëveshjet konsensuale të 14 Janarit dhe të 5 Qershorit që mundësuan një proces dhe produkt gjithëpërfshirës.   Retorikat oportuniste dhe hipokrite të disa ndërkombëtarëve shkojnë kundër aspiratës dhe projektit strategjik të shqiptarëve për të ndërtuar një të ardhme europiane. Asnjë bandë pengmarrëse s’do të mund t’i shpëtojë përgjigjes së merituar që do të marrë nga forca e qytetarëve të bashkuar kundër këtij grushti shteti.

Në kundërpërgjigje Edi Rama i ka kujtuar luftën e bërë nga Ilir Meta për të penguar zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Rama: Siç nuk i ndalove dot zgjedhjet vendore dhe siç nuk e fute dot në zjarr Shqipërinë dje, nuk ke asnjë shans ta ndalosh Kushtetutën të jetë detyruese edhe për ty, ashtu sikundër s’ke asnjë shans të ndezësh zjarrin e ëndërruar të konfliktit të popullit me shtetin! Boll se s’të ka askush asnjë borxh, jo më Shqipëria!

Konflikti institucional në Facebook ka vijuar nga zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi.

Blushi: I sëmuri i Surrelit kujton se ndërkombëtarët janë frekuentuesit e dyshimtë të “China Club” në Berlin apo lobistët e sivëllait të tij që kërkojnë copëtimin dhe zhbërjen e shtetit të Kosovës. Çfarë mjerimi!

Njëzëri përfaqësuesit e lartë ndërkombëtarë shprehën keqardhje për votimin e njëanshëm për ndryshimet kushtetuese në Kuvend. KiE kërkon që ndryshimet në kodin elektoral të gjejnë konsesus në këshillin politik.

I të njëjtit qëndrim është edhe ambasadori Luigi Sreca. Ndërsa ambasadori gjerman Peter Zingraf ishte i ashpër ndaj këtij veprimi të mazhorancës, pasi sipas tij reforma zgjedhore e nisur në mënyrë të suksesshme është duke marrë sërish tipare konfliktuale përmes ndryshimeve kushtetuese. 

Dialog në Këshillin politik pret edhe grupi i CDU/CSU-së. Ndërsa ambasadori i Britanisë së Madhe, Duncan Norman shprehet se votimi do të donte të kishte ndodhur me konsesus ndërsa i kërkon palëve të ulen në Këshillin Politik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat