Tuneli i Llogorasë, strategjik për turizmin

Shqipëria

Tuneli i Llogorasë, strategjik për turizmin

Më: 2 gusht 2020 Në ora: 18:37
Foto ilustrim

Tuneli i Llogorasë do të ndërtohet me fondet e buxhetit të Shtetit.

Në buxhetin e rishikuar për vitin 2020 është parashikuar një shtesë fondi prej 150 milionë lekësh për studimin e fizibilitetit dhe hartimin e projektit të detajuar inxhinierik për Tunelin e Llogorasë. Në total shuma që qeveria ka akorduar për këtë projekt llogaritet 750 milionë lekë.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj bëri të ditur dy ditë më parë se këtë vit parashikohen fondet në buxhet për projektin e kësaj vepre të rëndësishme në infrastrukturën e vendit, raporton ATSh.

Ndërsa në buxhetin afatmesëm, tha ai, konkretisht në 2021 parashikohet një fond prej 4 milionë lekësh për nisjen e punimeve për ndërtimin e tij.

Tuneli i Llogorasë është pjesë e paketës së madhe të infrastrukturës në mbështetje e shërbim jo vetëm të qytetarëve, por edhe të strategjisë për zhvillimin e turizmit që qeveria ka.

Tuneli llogaritet të ketë një kosto prej rreth 150 milionë eurosh për ndërtimin e tij.

Me këtë vepër aksi Orikum-Palasë do të përshkohet në vetëm 10 minuta, ndërkohë që sot përshkohet për 55 minuta.

Tuneli i Llogorasë do të ketë një gjatësi prej 5.9-6 km, do të lëvizet me shpejtësi 50-80 km orë , do të ketë karrexhatë me dy sense dhe 1 tunel emergjence.

Udhëtimi nga Ura e Shën Elizës deri tek Ura e Palasës do të bëhet për 7-10 minuta.

Qeveria shqiptare hapi më 20 qershor garën për projektin inxhinierik për ndërtimin e tunelit të Llogorasë, i cili do të ndërtohet me fondet e buxhetit të shtetit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat